Për shkak të mosfunksionalizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Rafet Rama që nga shtatori i vitit të kaluar është në pritje për t’u ulur në kolltukun e Kuvendit. Njëjtë si Rama po presin edhe dhjetëra asamblistë lokalë. Për bllokim të KQZ-së partitë opozitare po e akuzojnë presidentin Thaçi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Nezir Çoçaj ka gjashtë muaj që ka dhënë dorëheqje nga funksioni i deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, përderisa ende askush nuk e ka zëvendësuar atë në legjislativ.
Prej asaj kohe, të shtatorit të 2018-s, në pritje për t’u bërë deputet është Rafet Rama i PDK-së, por ai nuk po mund të ulet në kolltukun e Kuvendit për shkak të mosfunksionalizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili duhet ta certifikojë dhe t’ia japë mandatin, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.
Gazeta “Zëri” dje ka kontaktuar Ramën, i cili nuk po arrin të bëhet deputet qe gjashtë muaj. Rama i ka deklaruar gazetës se mandati i tij si deputet është në dorë të presidentit Hashim Thaçi. “Nuk dua ta komentoj, ajo është në dorën e presidentit. Kurdo që ai e funksionalizon KQZ-në, atëherë KQZ-ja më certifikon mua. Më shumë nuk kam çfarë të them, nuk varet prej meje kjo punë”, ka thënë Rama..