Nuk ishte vetëm dita e shtunë e mirë për xhudistin Akil Gjakova. Ishte i gjithë viti 2018. Gjakova 22-vjeçar të shtunën fitoi medaljen e artë në turneun Grand Prix të Zagrebit, në kategorinë deri 73 kilogramë. Më këtë konfirmoi formën jetësore që po kalon, shkruan sot “Koha Ditore”. Rrugës deri te medalja mposhti xhudistët më të mirë të kategorisë së tij, kampionë e nënkampionë olimpikë e botërorë.
2018-a – viti i shkëlqyeshëm për të nisi me shpërthimin në turneun më të fortë, që shpesh barazohet edhe me nivelin e botërorit, Grand Slamin e Parisit, që u mbajt në muajin shkurt. Së fundi fitoi edhe medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare dhe tash i vuri kapak periudhës së artë 6-mujore me triumfin në Zagreb.
“Konkurrenca ka qenë e fortë duke marrë parasysh se ka pasur xhudistë të nivelit botëror. E kam menduar medaljen, por nuk kam pritur se do të dal i pari. Kam pasur short të vështirë, por kam qenë i përgatitur falë punës që ka bërë me ne trajneri Driton Kuka”, ka thënë Gjakova të dielën për gazetën.
Gjakova në gjysmëfinale mposhti nënkampionin e botës Rustem Orujovin nga Azerbajxhani, derisa në finale kampionin olimpik të kategorisë deri në 66 kilogramë, italianin Fabio Basile.