Gjashtë persona janë vrarë dhe rreth 200 të tjerë janë plagosur gjatë marsheve masive që janë zhvilluar në Xhakarta, kundër rizgjedhjes së presidentit të Indonezisë, Joko Widodo.
Policia indoneziane ka konfirmuar numrin e të vdekurve, bazuar në raportet e siguruara nga spitalet.
Zyrtarët policorë kanë thënë se shkaku i vdekjeve është duke u hetuar.
Shefi i policisë kombëtare, Tito Karnavian ka mohuar se zyrtarët e këtij institucioni kanë përdorur municion.
Në disa zona është ndaluar edhe përdorimi i rrjeteve sociale në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e thashethemeve.
“Disa kanë pasur plagë nga të shtënat, disa kanë plasur shenja të plagëve, mirëpo neve ende na duhet ta qartësojmë këtë”, ka thënë Karnavian, duke iu referuar gjashtë personave të vdekur gjatë natës së kaluar.
Autoritetet kanë thënë se protestat kanë qenë të planifikuara dhe jo “të rastësishme”. Ata kanë supozuar se një grup i provokatorëve mund të jetë përgjegjës për këtë dhunë.
“Shumica e protestuesve kanë ardhur jashtë Xhakartas”, ka thënë zëdhënësi policor, Muhammed Iqbal.
Ndërkohë presidenti Widodo ka premtuar hapa të ashpër kundër protestuesve.
“Unë jam i hapur për të bashkëpunuar dhe për të zhvilluar këtë komb, mirëpo nuk do të toleroj askënd që tenton të dëmtojë sigurinë publike, procesin demokratik apo unitetin e shtetit tonë”, ka thënë Widodo në një konferencë për media.