Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje, ku janë arrestuar pesë persona.
Nga dhuna në familje ka pësuar një grua në Malishevë, e cila është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, ndërsa pas lëndimeve të marra e njëjta po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kurse i dyshuari [burri i saj] është dërguar në mbajtje.
Lëndime nga bashkëshorti i saj ka pësuar edhe një grua nga Istogu, ku pas një mosmarrëveshje verbale i njëjti e ka sulmuar atë, ku pas intervistimit me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.
Dhunë të vazhdueshme në familje në polici ka paraqitur edhe një grua nga Fushë Kosova, ku tha se përveç dhunës edhe po ofendohet.
“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë, transmeton Klankosova.tv.
Viktimë e dhunës në familje nga vajza e saj në Deçan kanë qenë nëna, babai dhe vëllau i të dyshuarës, ku sipas policisë lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara dhe është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Suharekë, ku një person është arrestuar pasi i njëjti ka ushtruar dhunë dhe kanosur verbalisht babain e tij, e po ashtu duke e prishur orenditë e shtëpisë.
“I dyshuari është dërguar për kontroll në repartin e Neuropsikiatrisë, pastaj me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë