Janë bërë gjashtë vjet që kur basketbollisti kosovar, Gazmend Sinani ka vdekur.
E Federata e Basketbollit të Kosovës ka kujtuar basketbollistin e tyre përmes një njoftimi
Sot, janë bërë gjashtë vjet pa basketbollistin Gazmend Sinani, i cili më 23 qershor të vitit 2018 kishte ndërruar jetë në një aksident trafiku.
Ajo ishte njëra nga ditët më të rënda për basketbollin e Kosovës.
Federata e Basketbollit e Kosovës e kujton Gazin, i cili gjithmonë do të mbetet në zemrat tona.
Sinani ishte një basketbollist dhe person i dashur për të gjithë. Ai njihej për shpirtin e tij luftarak në të gjitha skuadrat ku ka luajtur.
Kosova humbi një basketbollist të dashur dhe një djalë të jashtëzakonshëm.
Gazmend Sinani ishte anëtar i Kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA, ndërsa fanella me numër 15 është pensionuar përgjithmonë nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Ai ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja. Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.