Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga lufta në Kosovë, ekonomia e Kosovës, po varet nga remitencat.
Zëdhënësi në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) Kushtrim Ahmeti, bëri të ditur se nga muaji janar deri në muajin tetor të 2018-ës, vlera e mjeteve monetare të dërguara nga mërgimtarët ka arritur shifrën e 662.9 milionë euro.
“Ndërsa në vitin 2017, vlera e remitencave të dërguara nga mërgimtarët arriti në vlerën prej 758.7 milionë eurosh”, tha Ahmeti për televizionin publik.
Sipas tij, në vitin 2017 dhe deri në muajin tetor të vitit 2018, vendet nga të cilat më së shumti mërgimtarët i kanë dërguar paratë në vendin tonë prinë Gjermania, e përcjellë nga Zvicra, SHBA dhe vendet tjera.
Kurse Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, tha se megjithëse diaspora po ndihmon shumë para në Kosovë, kjo po ndikon në konsumin ditor dhe nuk ka ndonjë agjendë të qartë për mjetet nga diaspora dhe nuk ka politika të mira ekonomike për to.
“Duhet të bëjmë më shumë për kategori, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika që ato para që janë qindra miliona euro të jenë në shërbim të zhvillimit dhe jo vetëm të konsumit dhe të eksportimit të parasë së gatshme”, tha ai për televizionin publik.
Gërxhaliu i cili vitin e kaluar është emëruar sekretar gjeneral në Forumin Investiv të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, tha roli i diasporës në zhvillimin e Kosovës, është multidimensional.
Ndryshe diaspora kosovare llogaritet si njëra ndër ato që dërgon miliona euro në vendlindje.