Shef i divizionit të statistikave të çmimeve në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) Ibish Asllani, ka thënë se nuk ka pasur rritje të çmimeve të produkteve gjatë pandemisë.
Asllani në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se nga muaji shkurt ka pasur rënie të çmimeve, e që kjo është parë edhe te vendet fqinje.
“Sa i përket pandemisë, dhe gjendjes që ka filluar te ne që nga 13 marsi në periudhat e shkurtra kohore, në pjesën e parë të muajit prill kanë qenë disa lëvizje te mielli dhe ka qenë prezentë zvogëlimi i sasisë dhe kërkesat kanë filluar gjatë asaj periudhe kohore, përndryshe, nuk ka pasur rritje të çmimeve”.
“Duke filluar nga muaji shkurti kemi rënie të çmimeve, shkurti me janarin e këtij viti ka pasur një rënie të çmimit totale -0.2%, pastaj marsi me shkurtin ka pasur një rënie prej 0.1%, prilli me marsin ka pasur një rënie prej 0.3%, maji me prillin ka pasur një rënie prej 0-0.3%, qershori ka pasur një rënie -0.4%,pastaj korriku ka pasur një deklacion prej 0.3%”.
“Rënia e çmimeve është vërejte edhe në vendet fqinje dhe ky indikator që ka dal është i arsyeshëm dhe është mjaft i besueshëm”.
Ai thotë se vendi aktualisht po përballet me krizë ekonomike dhe se gjendja do të vazhdojë të jetë e njëjtë, ndërkohë që kërkesat për produkte nga marsi nuk kanë ndryshuar.
“Edhe pse jemi në një krizë ekonomike, siç po shihet do të jetë një gjendje e njëjtë, por mund të ketë mungesa të produkteve, dhe bazuar në këtë periudhë 5 mujore, gjegjësisht prej marsit nuk është parë diçka që janë rrit kërkesat më tepër se si kanë qenë”.
Asllani shton se përveç çmimeve të tjera, gjatë muajit korrik në Kosovë pati rritje të çmimit të bukës, dritharëve, e duhanit, raporton Ekonomia Online.
Gjithashtu, rritje pati edhe te çmimet e naftës dhe benzinës dhe shërbimeve për transport.