Brenda këtij muaji pritet që Projektligji për tatimin mbi vlerën e shtuar të arrijë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe nëse miratohet ashtu siç është paraparë, libri si produkt do të lirohet krejtësisht nga TVSh-ja.
Pasi të mbërrijë në Qeveri, proceduralisht, projektligji duhet të kalojë në Kuvend për t’u miratuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të martën, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka lexuar një pyetje që i është adresuar atij. Është pyetur se përse nuk është duke u zbatuar vendimi i Qeverisë së Kosovës, i marrë më 23 nëntor 2017, që përcakton zero tatim për librin. Por, ministri i Financave, Bedri Hamza është përgjigjur duke thënë se lirimi i librit nga TVSh-ja do të bëhet nëpërmjet Ligjit për TVSh-në.
Lirimin e librit nga ky tatim, kryeministri Haradinaj e kishte përmendur edhe para një jave në hapjen e edicionit të 20-të të panairit të librit “Prishtina 2018”.