Gjeloshaj: Pakicat do ta përkrahin Abazoviqin për kryeministër të Malit të Zi

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Nik Gjeloshaj, kryetar i Partisë Alternativa Shqiptare ka dhënë një intervistë për mediumin gjerman Deutsche Welle teksa ka fol për zhvillimet e fundit në shtetin e Malit të Zi. “Shqiptarët duhet të jenë të barabartë”, thotë në fillim të intervistës politikani shqiptar.

Ai ka pohuar se mbështet një qeveri të udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq.

“Kur kemi biseduar për herë të parë të gjitha pakicat për mundësinë e krijimit të një gjëje të tillë, i kemi thënë Dritanit, jo politikisht, urdhëro e ke përkrahjen pa kushte. Vetëm se të realizohet ky koncept i një qeverie pro-evropiane pro-perëndimore. Mendoj se do ta përkrahim, jam i sigurt se pakicat do ta përkrahin Abazoviqin të jetë në krye të Qeverisë. Në këtë drejtim mendoj se shqiptarët do të avancohen, por edhe i gjithë Mali i Zi do të avancohet”, pohoi ai.

Gjeloshaj ka pohuar se me këtë fiton shteti i Malit të Zi ndërsa shqiptarët do të ndihen krenarë.

“Me këtë mendoj se më shumë fiton Mali i Zi sesa shqiptarët, por se shqiptarët do të ndihen krenarë, unë personalisht ndihem shumë mirë nëse vjen një ditë kur në një shtet të cilin ne kemi kontribuar që ky shtet të zhvillohet e që ky vend të integrohet, dhe në fund me ardhjen e një shqiptari në krye të Qeverisë, mund të thuhet se kjo është ajo për të cilën edhe ne kemi luftuar, që Mali i Zi të jetë shtet demokratik dhe i barabartë për të gjithë qytetarët”, ka thënë ai.

Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi ka dështuar të shkarkojë liderin e partisë URA, Abazoviqin. Theksojmë se gjatë ditës së nesërme pritet që të mbahet seanca e radhës parlamentare, ku do të diskutohet shkurtimi i mandatit të Kuvendit.

Kujtojmë se të shtunën do të mbahet gjithashtu edhe një seancë e re parlamentare teksa do të votohet shkarkimi i qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq.

Të ngjashme