Një grua në New Jersey kishte menduar se unaza e martesës i kishte humbur përgjithmonë kur aksidentalisht i kishte rënë në tualet para nëntë vjetësh.
Por falë një punëtori për pastrimin e gypave ajo është bashkuar me unazën e humbur.
Paula Stanton, 60-vjeçare, e mori unazën në formë dhurate nga bashkëshorti i saj për 20 vjetorin e martesës. Nëntë vjet më parë ajo po pastronte në momentin kur i kishte rënë unaza nga gishti.
“Ishte moment i rëndë”, ka thënë Stanton për CNN-in. “Më vinte marre t’i tregoja burrit sepse kishte kuptim për ne ajo unazë”.
Bashkëshorti ia bleu një unazë të njëjtë si zëvendësim, por Stanton ka thënë se gjithmonë shpresonte se një ditë do ta gjente unazën origjinale.
Dy vjet më parë, ajo bisedoi me Ted Gogolin nga Departamenti për Punë Publike dhe i tregoi se çfarë kishte ndodhur me unazën e saj. Gogol i tha se kurrë nuk kishte hasur në unazë por do ta lajmëronte për çdo rast.
Muajin e kaluar, derisa ai po punonte në një gyp 120 metra larg nga shtëpia e Stantonit, pa diçka që shkëlqente. Kur e pastroi mirë e mori vesh se ishte unaza me diamante.
“Ajo unazë nuk donte të largohej nga familja”, ka thënë Gogol.
“Ka shumë gjëra që mund të ndodhin. Ka mundur të zhdukej krejt, ka mundur të thyhej. Por ishte e shkruar të jetë kështu”, ka thënë ai.
Stanton nuk mund ta besonte lajmin kur lexoi letrën që i erdhi nga departamenti i punëve publike. Kur Gogol ia solli unazën ajo i tha: “Ti je si një engjëll krishtlindjesh”.
Ajo tani mban dy unazat dhe është betuar se nuk do t’i humbë më.