Gjenden armë e pajisje ushtarake në Leposaviq

Prishtinë | 08 Tet 2026 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Një AK-47, 119 fishekë dhe pajisje ushtarake janë gjetur në një shtëpi të pabanuar në Dren të Leposaviqit.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar se rasti është duke u hetuar.

“Jemi në proces të identifikimit të pronarit në vendin ku janë gjetur armët dhe pastaj do të merren veprimet e tjera konform ligjit”, ka thënë Preteni.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 7 tetor, rreth orës 16:30, pas pranimit të një informate, ndërkohë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur procedurat për identifikimin e pronarit të vendit.

Njësitet policore kanë kontrolluar një shtëpi të pabanuar, ku kanë gjetur dhe konfiskuar një AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 119 fishekë të kalibrit 7.62×39 milimetra, pantallona ushtarake, një kapelë dhe një termos ushtarak.

Të ngjashme