Në Polac të Skenderajt është gjetur një person, i cili dyshohet të ketë qenë varrosur që nga koha e luftës. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj. “Gjatë gërmimeve është gjetur një trup N.N. Mbetjet mortore janë dërguar për analiza të mëtutjeshme”, ka thënë Gjetaj.
Gërmimet që janë kryer në këtë pikë, sipas tij, kanë qenë në agjendë për t’u hulumtuar dhe për t’u verifikuar nëse aty ndodhet varrezë me trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
Ai ka thënë se do të kryhen hulumtime edhe në lokacionet e tjera të parapara në agjendë, duke përfshirë edhe lokacionin që dyshohet për varrezë me trupa të shqiptarëve në Rashkë. Sipas tij, nisja e gërmimeve në Serbi është premtim. “Nuk është e sigurt qind për qind por pritet të nisin, së paku kështu kemi premtime”, ka thënë ai.
Ndërkaq familjarët ankohen se Qeveria nuk është duke u angazhuar në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Nystrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e nënave”, e cila po ashtu e ka djalin në listën e të zhdukurve, thotë për “Zërin” se familjarët e të pagjeturve janë të zhgënjyer me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare e të cilët, sipas saj, nuk janë treguar të përkushtuar për ta zbardhur fatin e të pagjeturve. “Asnjë kërkesë e familjeve të të pagjeturve nuk është realizuar”, ka thënë ajo për gazetën, duke shprehur zhgënjimin e saj si nënë me të gjitha institucionet.
“Ne jemi të zhgënjyer me të gjitha veprimet politike që po bëhen, ndërsa nuk jemi nëna politike, por vetë çështja po na shtyn që të përcjellim politikën në çdo hap”, tha ajo.
Kumnova shprehet se dhimbjen e këtyre familjarëve nuk po e kuptojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. “Është e dhimbshme kur sheh në medie sesi premtojnë dhe vetëm premtojnë dhe nuk zbatojnë asnjë premtim. Asnjë qytetar nuk po kthehet me vite të tëra, nuk janë kthyer eshtrat e më të dashurve tanë. Janë duke i mbajtur trupat e shqiptarëve në Serbi”, thotë Kumnova.
Pavarësisht protestave që kanë bërë ajo thotë se nuk merren parasysh “Thirrjet e nënave” që t’iu kthehen trupat e fëmijëve të tyre të rrëmbyer gjatë luftës.
“Jam duke e vërtetuar se po presin që të vdesim të gjitha nënat. Shumë nga nënat kanë vdekur tashmë, të tjerat në pritje dhe në ankth po presin të vdesin se nuk ka si sqarohet ndryshe kjo neglizhencë për të zbardhur fatin e tyre”. Në shkurt të këtij viti gërmime vlerësuese janë bërë në lokacionin e shënjuar te Xhamia te Ura e Ibrit në Mitrovicë, që ka rezultuar pa gjetje të mbetjeve mortore të viktimave të luftës.
Gjatë tërë 2015-s në Kosovë vetëm 58 mbetje mortore të gjetura në Serbi janë rivarrosur. Këto 58 dorëzime janë gjetur vitin e kaluar në Rudnicë të Rashkës. Në Serbi janë vlerësuar edhe dy lokacione, një në Kozarevë të Novi Pazarit dhe së fundmi në Kizhevac të Rashkës. Gërmimet në këto dy vende janë ndërprerë sipas arsyetimit të palës serbe vazhdimisht për shkak të motit. Në Kozarevë dy herë është punuar, herën e parë krejt gabimisht në anën e majtë të lumit dhe herën e dytë nuk është punuar deri në fund aty ku është kërkuar nga pala kosovare dhe është ndërprerë me arsyetime të ndryshme, si mungesa e mjeteve apo deri këtu kemi urdhëresë gjyqësore. Familjarët e të pagjeturve, si dhe Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit patën kërkuar nga Qeveria të mos nisin më 2016-n bisedimet me Serbinë pa u zbardhur fati i mbi 1600 personave të rrëmbyer e të zhdukur para 16 vjetësh, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani. (Zeri)