Kumnova mes lotësh para deputetëve: Ndaljani turrin Serbisë që të mos dalë fitimtare me krimet e bëra

Prishtinë | 09 Dhj 2020 | 13:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” mes lotësh kritikoi deputetët në seancën e veçantë me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimi i këtij krimi.

Kumnova u bëri thirrje qeveritarëve që t’ia ndalin turrin Serbisë që të mos dalë fitimtare edhe kur ka kryer krime në Kosovë. Ajo ka bërë thirrje që të bëhet padi për këto krime, njofton Klan Kosova

“Dhimbja na ka dobësuar edhe sytë, na ka qorru dhe nuk po shohim. U bënë 21 vjet duke kërkuar drejtësi për krimet serbe mbi kosovarët”.

“Ndaljani turrin Serbisë që të mos dalë fitimtare me krimet e bëra. Ky regjim serb vrau dhe zhduku mijëra njerëz për të bartur trupat e tyre në Serbi për të fshehur krimin”.

“Ne nëna të pikëlluara me humbjen e bijve, bijave dhe familjarëve tanë u bashkuam dhe nuk ndaluam asnjëherë në kërkim të zbardhjes së fatit te tyre. Rrallë gjetëm mbështetje nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të gjetur më të dashurit tanë”, është shprehur Kumnova.

“Sot fëmijët tanë do duhej të ishin këtu e jo ne prindërit. Andaj, nuk do duhej të lejonim Serbinë që të luajnë me trupat e tyre”.

“Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të ndërmarrë sa më shpejtë iniciativën për padi ndaj serbëve për krimet e bëra ne Kosovë. Mbi dy dekada kemi pritur padinë e juaj mbi serbët. Në vend se të akuzojmë njëri-tjetrin duhet t’i ktheheni vetvetes pasi si deputet duhet të shikoheni në pasqyrën e përvuajtur të qytetarëve dhe të ndërmerrni hapa për çka jeni te thirrur”.

Kumnova mes tjerash para deputetëve tregoi se në çfarë pozite të vështirë janë vënë nga ish-qeveria Mustafa.

“Qeveria e Isa Mustafës respektivisht Arban Abrashi na ka vënë në pozitë të vështirë, duke na lënë të zgjedhim mes pensionit të pleqërisë dhe ndihmës së shtetit”, shtoi ajo, teksa përmendi me emra edhe politikanët e tjerë të cilët nuk kanë bërë mjaftueshëm për familjet e personave të pagjetur.

Ajo e përmendi edhe zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, shkarkimin e të cilit e ka kërkuar pothuajse çdo ditë Kumanova para Kuvendit, pas deklaratës së tij për të pagjeturit.

“Driton Selmanaj kohë më parë e injoroi temën e të pagjeturve, duke e cilësuar si të konsumuar. Kryeministri Avdullah Hoti dhe zëndëskryeministri Driton Selamanj e refuzuan kalimin e ligjit për të pagjeturit”

“Unë nga ky parlament sot kërkoj që ta votoni me procedurë të përshpejtuar ligjin për të pagjeturit që të ndihmoni familjet e dëmtuara që tashmë janë shndërruar në raste sociale” tha mes lotësh Kumnova.

Kumnova foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe temës për të pagjeturit teksa tregoi edhe kërkesën e nënave të të zhdukurve për këtë çështje.

“Sa i përket bisedimeve të dialogut me Serbinë është kërkesë e neve nenave që të jenë dy nëna në pjesën e dialogut zotëri kryeministër”.

“Serbia nuk e mori edhe dënimin dhe vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe kjo situatë na prek neve kur nuk veprohet asgjë kur të gjithë jeni dëshmitarë mbi krimet serbe andaj kërkoj me ngulm që të kryeni detyrat e juaja që keni krahas qytetarëve”.

Të ngjashme