Më 26 tetor 1942, anija amerikane “USS Hornet” ishte sulmuar dhe ishte përmbytur nga forcat japoneze gjatë një beteje pranë Ishujve të Santa Kruzit. Në këtë anije ndodheshin 2200 njerëz, ndërsa 140 prej tyre ishin shpallur të zhdukur në ditën e fundosjes.
Gjatë një operacioni të kërkimit, anija e fundosur u gjet në thellësi prej rreth 5200 metrash nën ujë afër Ishujve Solomon. Ajo kishte qëndruar në fund të oqeanit për më shumë se 76 vjet. Për ta gjetur anijen “Hornet”, ekipi i kërkimit i ka përdorur arkivat e nëntë anijeve tjera luftarake, të cilat ishin përdorur në kohën kur ishte fundosur anija.
Hulumtuesit e përdorën një pajisje robotike, e cila mund të qarkullojë në thellësi prej më shumë se pesë mijë metrash. Gjetja e kësaj anijeje ishte vetëm njëra nga sukseset e kompanisë “Petrel”, e cila edhe më parë është dalluar për gjetjen e anijeve të fundosura në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kjo kompani ka gjetur anije të fundosura të flotës amerikane, britanike, italiane dhe japoneze, transmeton Gazeta Express.
Njëri nga udhëheqësit e misioneve për gjetjen e anijeve të fundosura, Robert Kraft, ka thënë se anija “Hornet” ka qenë në listën e tyre për shkak të historisë së saj pasi është përdorur në disa beteja të rëndësishme. Kjo anije ishte përdorur për sulmet amerikane në Tokio në prill të vitit 1942. Dy muaj më vonë, ajo ishte përdorur për fundosjen e katër anijeve japoneze, shkruan “CNN”.