Bideni mendon se Rusia do ta sulmojë Ukrainën: Pasojat do të ishin më të mëdhatë që nga Lufta e Dytë Botërore

Prishtinë | 20 Jan 2022 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se mendon që Rusia do ta sulmojë Ukrainën, duke paralajmëruar se Moska do të përballej me “një çmim të fortë”. Sidoqoftë, ai pranoi se NATO-ja është e përçarë në lidhje me përgjigjen ndaj Rusisë, nëse ndodh vetëm një “pushtim i vogël”.

Përktheu: Nasuf Abdyli

 Shtëpia e Bardhë u detyrua që të lëshonte një sqarim të ngutshëm për fjalët e fundit të presidentit, duke thënë se çfarëdo lëvizje e forcave ruse përtej kufirit do të trajtohet si pushtim, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Në komentet më të gjera rreth krizës në Ukrainë, të cilat i dha në një konferencë për gazetarë të mërkurën, presidenti amerikan e alarmoi qeverinë ukrainase. I pyetur rreth synimeve të Putinit, Bideni tha: “Nuk jam i sigurt që ai është i qartë për atë që do të bëjë. Hamendja ime është se ai do të futet. Ai duhet të bëjë diçka.”

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se pushtimi i shkallës së plotë do të ishte “gjëja më me pasoja që ka ndodhur në botë në aspektin e luftës dhe paqes që nga Lufta e Dytë Botërore”, me rrezikun që kriza të dalë përtej kufijve të Ukrainës si dhe “të dalë nga dora”.

NATO-ja ka thënë se do t’i vendoste trupat në krahun e saj lindor në rast të sulmit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar për një varg sanksionesh me aleatët evropianë.

Ukraina reagoi menjëherë me zhgënjim ndaj komenteve të presidentit amerikan. Një zyrtar ukrainas i tha televizionit CNN se “kjo ia jep Putinit dritën e gjelbër për të hyrë në Ukrainë sipas dëshirës së tij”.

Sekretari i Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Rusia mund të bëjë veprime të mëtejme agresive kundër Ukrainës “në çdo çast”, duke shtuar se qëllimet ushtarake të presidentit rus ende janë të paqarta. Kryediplomati amerikan pritet të takohet në Zvicër me homologun rus këtë javë për përpjekje të reja për zgjidhjen e krizës përmes rrugëve diplomatike e paqësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme