Një bebe është gjetur e gjallë pas 35 orësh që ka kaluar në të ftohtin e skajshëm nën rrënojat e një ndërtese banimi në Rusi e cila u shemb pjesërisht gjatë një shpërthimi, kanë thënë sot zyrtarët e emergjencave, të cilët e kanë quajtur këtë një mrekulli.
Shpërthimi, që mendohet të ketë ndodhur si pasojë e rrjedhjes s gazit, ka shkatërruar 48 apartamente në një ndërtesë 10 katëshe në qytetin industrial Magnitogorsk të hënën, duke vrarë së paku shtatë persona ndërsa 36 ende janë të zhdukur, raporton Reuters.
Pamjet nga videot shfaqin një punëtor të kërkim-shpëtimit që nxjerr beben të veshur me çorape rozë dhe që e mbulon me një batanije para se të fillojë të vrapojë drejtë auto-ambulancës.
Temperaturat momentale në qytetin e Magnitogorskut, vend ku gjenden fabrikat më të mëdha ruse të metalit në Urale rreth 1,700 km në lindje të Moskës – është -17 gradë Celsius.
Fakti se vogëlushi 11 muajsh, i cili momentalisht është diagnostikuar me djegie të thellë nga i ftohti dhe me lëndim në kokë, kishte qenë në gjumë në shtratin e tij i mbështjellë me disa shtresa ia ka shpëtuar jetën, raporton agjencia ruse e lajmeve TASS, duke cituar qendrën rajonale të emergjencave.
Bebja u gjet kur një shpëtimtar e dëgjoi atë duke qarë dhe “u organizua menjëherë një aksion i gjerë”, ka raportuar agjencia tjetër e lajmeve Interfax. Largimi i tij ishte i vështirë për shkak të rrënojave të paqëndrueshme që paraqisnin rrezik për shpëtimtarët.
“Me qindra persona po prisnin shfaqjen e fëmijës së lënduar nga nën rrënojat si një mrekulli. Dhe mrekullia ndodhi”, janë cituar zyrtarët të kenë thënë. “Lotët i pushtuan shpëtimtarët e dërmuar nga moti”.
Nëna e djaloshit të vogël është gjallë dhe tashmë gjendet në spital.