Një grua 34-vjeçare amerikane, e cila ishte zhdukur në Rusi nga e marta, është gjetur e vdekur dhe një burrë rus është arrestuar nën dyshimin për vrasjen e saj, tha të shtunën Komisioni Hetues i Rusisë.
Agjencia ruse e lajmeve, RIA, tha se gruaja, e identifikuar si Catherine Serou, ishte duke studiuar për drejtësi në një universitet në rajonin Nizhny Novgorod, 420 kilometra në lindje të Moskës, që nga koha kur kishte shkuar atje nga Kalifornia tri vite më parë.
Komisioni Hetues i Rusisë tha se ka hapur një rast për hetime kriminale për zhdukjen e një qytetareje të huaj dhe se një burrë në të dyzetat me të kaluar kriminale është arrestuar për vdekjen e saj, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në deklaratën e këtij komisioni thuhet se viktima kishte dalë nga shtëpia rreth orës 6 e 30 të mbrëmjes së 15 qershorit dhe ishte futur në një veturë. Vendndodhja e saj ishte e panjohur prej asaj dite.
“Sot, si rezultat i një operacioni të gjerë të kërkimit, trupi i gruas është gjetur”, thuhet në deklaratën e Komisionit Hetues.