Gjendet edhe trupi i viktimës së 45-të nga aksidenti në Bullgari, është një fëmijë

Prishtinë | 26 Nën 2021 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Një trup tjetër është gjetur gjatë kontrollit shtesë të autobusit që u aksidentu të martën në Bullgari, duke e çuar kështu numrin e viktimave në 45.

Sipas mediumit bullgar BNT, trupi i gjetur është i një fëmije.

Ndryshe, gabimi njerëzor është dyshimi kryesor që besohet të ketë shkaktuar aksidentin me autobusin e Maqedoninë së Veriut në një autostradë të Bullgarisë, ka deklaruar në Sofje, zëvendëskryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov.

“Për momentin pista më e besueshme është ajo e faktorit njeri, për të cilin po shqyrtohen kushtet e seksionit ku ka ndodhur aksidenti, si sinjalistika dhe ndriçimi rrugor. Trotuari në të cilin ka goditur shoferi i autobusit është jo vetëm i panevojshëm në vend, por edhe i rrezikshëm. Në vendngjarje nuk pati asnjë shpërthim, por zhurma e fortë që u dëgjua ishte ajo e autobusit që u përplas në trotuar, ndoshta kjo është arsyeja pse autobusi mori flakë”, ka deklaruar Sarafov.

“Nga autopsitë rezulton se të gjithë pasagjerët kanë vdekur nga ngufatja prej tymit, jo nga goditja. Kjo do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit. Vlerësimi përfundimtar i shkaqeve të aksidentit do të duhet të jepet nga analiza përfundimtare, por versioni kryesor për momentin është gabim njerëzor – si shkak i aksidentit”, ka theksuar Sarafov në konferencë për media më 25 nëntor.

Bullgaria, vend anëtar i BE-së me 6.9 milionë banorë, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.

Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe mospërshtatjes së shpejtësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme