Gjendja e sigurisë në Podujevë vlerësohet e qetë

Prishtinë | 27 Kor 2018 | 14:53 | Nga

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, i kryesuar nga Kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka mbajtur mbledhjen e tretë të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar raportin e Policisë se Kosovës dhe KFOR-it për gjendjen e sigurisë në Komunë; implementimin e projektit te vendosjes se kamerave te sigurisë ne qytet; projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve; informatën për sigurinë në shkolla dhe informatën për aktivitetet e KKSB-së në vitin 20l7.

Sipas një njoftimi, lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi.

“Gjendjen e përgjithshme të sigurisë, kapiteni Bislimi, e vlerësoi të qetë dhe stabile. Komandanti i Stacionit të Policisë tha se numri i përgjithshëm i rasteve kriminale, të raportuara në polici, vazhdojnë të shënojnë rënie. Ndërsa, sipas tij, është shtuar numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje”.

“Kapiteni Bislimi tha se shqetësues mbetet numri i aksidenteve në komunikacion, për çka Policia e Kosovës, ka ndërmarr masa shtesë përmes “Task Forcës” së krijuar dhe masave të tjera për siguri në komunikacion. Edhe përfaqësuesi i KFOR-it gjendjen e sigurisë e vlerësoi të qetë dhe stabile”.

“Në takimin e KKSB u diskutua edhe për implementimin e projektit të vendosjes së kamerave të sigurisë në qytet”.

“Komandanti i Stacionit të Policisë, Bekim Bislimi, tha se tashmë janë identifikuar rrugët dhe zonat në qytet, por edhe në disa fshatra, ku është planifikuar vendosja e kamerave të sigurisë, të cilat do të ndikojnë në krijimin e sigurisë për qytetarët”.

“Kapiteni Bislimi tha se për implementimin e projektit nevojite përkrahje financiare, për çfarë deri tash ka marrë mbështetje nga Kryetari i Komunës, Agim Veliu. Sipas tij, realizimi i këtij projekti mund të arrijnë vlerën deri në 100 mijë euro”.

“KKSB debatoi edhe për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve, të cilat mund t’i propozohen drejtorive për miratim në Kuvend”.

“Lidhur me këtë çështje drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, tha se ekzekutivi i Komunës vazhdon t’i ketë prioritet projektet infrastrukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve. Në këtë aspekt u përmendën projektet e shenjëzimit horizontal dhe vertikal të rrugëve, ndërtimi i trotuareve dhe rrjetit të ndriçimit publik”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu bëhet e ditur se kryetari Veliu kërkoi që krahas investimeve në rrugët lokale, të identifikohen problemet dhe rreziqet në rrugën nacionale dhe rrugët rajonale dhe këto probleme të adresohen në Ministrinë e Infrastrukturës.

“Drejtori i Arsimit, Agim Blakçori, prezantoi informatë për sigurinë në shkolla gjatë vitit shkollor 2017/18. Me këtë rast ai përmendi investimet e bëra në infrastrukturën shkollore dhe përreth shkollave, siç janë ndërtimi i rrethojave të oborreve të shkollave dhe trotuareve që shpien në shkolla si dhe ndriçimin publik, me qëllim të ngritjes së sigurisë për nxënësit. Drejtori Blakçori potencoi edhe bashkëpunimin e mirë më Policinë e Kosovës në realizimin e fushatave vetëdijësuese për nxënësit kundër dukurive negative”.

“Në mbledhjen e sotme u shqyrtua edhe informata për aktivitetet e KKSB gjatë vitit 2017”, thuhet tutje në njoftimin e Komunës së Podujevës.

Të ngjashme