Gjenerali shqiptar Begaj u prit në Ministrinë e Mbrojtjes

Prishtinë | 18 Pri 2019 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe sekretari i përgjithshëm dr. Shkelzen Sylaj kanë pritur sot, në takime të ndara, komandantin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bajram Begaj.

Gjatë takimeve u çmua lart bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë si dhe bashkëpunimi i frytshëm dypalësh ndërmjet të dy forcave të dy vendeve tona si dhe u theksua nevoja për intensifikimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen, ndërmjet dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në fushën e arsimimit edhe edukimit ushtarak modern.

Vizita e gjeneralit Begaj në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet FSK-së dhe FARSH-së, ku një grup prej 25 pjesëtarëve të Kursit të Lartë të Oficeri, duke përfshirë edhe personelin pedagogjik të Departamentit të Lidershipit dhe Shkencave Shoqërore po zhvillojnë një vizitë mësimore: ,,Promovimi i vlerave të ndërhyrjes ushtarake të NATO në Kosovë, roli i saj në çlirimin e Kosovës nga Serbia, si dhe rëndësia e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për njohjen e pavarësisë së saj’’.

Të ngjashme