Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Dibran Përçuku, me bashkëpunëtorë priti në një takim gjermanin Franz Wiedemer, kryetar i një qendre për mbrojtjen e shtazëve, i cili me rekomandimin e një bashkatdhetari nga Vushtrria i cili jeton në Gjermani, kishte zgjedhur komunën e Vushtrrisë për të ndërtuar një qendër për strehimin dhe trajtimin e qenve endacakë.
Sipas tij gjendja e rrugëve të qytetit, por edhe në fshatra, e mbushur me qenë është mjaft shqetësuese.
Wiedemer ka kërkuar nga Komuna sigurimin e një lokacioni për ndërtimin e një qendre të tillë, e cila do të ndërtohej me shpenzimet e tyre.
Në programin e kësaj shoqate u shpalosen të gjitha kushtet e ofruara si strehimi, vaksinimi, trajtimi adekuat konform standardeve të BE-së, kurse pas një periudhe të caktuar kohore një pjesë e qenve do të mundë transportoheshin në qendrat në Gjermani.
Tierhilfe-Seck, ka thënë Wiedemer, deri tash ka hapur tri qendra në Rumani, Greqi dhe Hungari, të cilat operojnë me sukses.
Kjo shoqatë ofron edhe një mundësi tjetër për pronarët e qenve, të cilët mund të furnizohen me ushqim deri në 5 kg. Përfaqësuesit e Komunës shprehen interesim për këtë projekt – propozim, ani pse ka dy vjet që komuna është duke i trajtuar qentë endacakë me një kompani vendore.
Në këtë takim u shpreh gatishmëri e dyanshme që ditët në vijim të finalizohen detajet për fillimin e këtij projekti, i cili më në fund do të zgjidhë problemin e qenve endacakë.