Gjermani, 14 mijë emigrantë hynë ilegalisht me autobusë e tren (VIDEO)

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Gjermania rezulton të ketë shtuar deportimet e po dërgon sinjale të qarta se, koha e mikpritjes krahëhapur për emigrantët ka “perënduar”. Por, kjo duket nuk po e frenon dëshirën e atyre që e shohin ekonominë e fuqishme europiane si “tokën e premtuar”.Policia federale gjermane raportohet të ketë ndaluar me mijëra emigrantë, në përpjekje e sipër për të hyrë ilegalisht në vend me autobusë apo tren. Pjesa më e madhe e tyre kishin kaluar nga Austria fqinje.

Numri i personave të ndaluar ilegalisht në vend me këto mjete transporti, gjatë vitit 2018, llogaritet të jetë mbi 14 mijë. Një dokument policor për qarkullim të brendshëm, i cili ra në duart e gazetës rajonale “Rheinische Post” tregon se, rreth 8.000 emigrantë hynë në Gjermani me autobusë dhe 6.000 të tjerë me tren, shkruan top-channel.

Ata vinin kryesisht nga Afghanistani, Nigeria, Iraku, Siria dhe Turqia. Kjo situatë krijohet në kohën kur kontrolli i pasaportave në autobusë mund të vështirësohet edhe më shumë, pasi Gjykata europiane e Drejtësisë doli me vendimin se, anëtarësimi i Gjermanisë në zonën e “Schengen”-it ua ndalon kompanive të udhëtimit me autobusë verifikimin e dokumenteve të identitetit të pasagjerëve.

Një kompani gjermane dhe një spanjolle patën ndërmarrë veprime ligjore kundër rregullores gjermane, që ua dikton kontrollin e pasaportave dhe lejeve të qëndrimit përpara kalimit të kufirit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme