Gjermani: Policia e konsideron terrorist sulmin e mbrëmshëm në Solingen ku u vranë tre persona

Prishtinë | 24 Gus 2024 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Tronditje në Gjermani pas sulmit me thikë në një festë në qytetin e Solingenit, ku si pasojë humbën jetën tre persona e u plagosën tetë të tjerë.

Solingen donte të festonte 650-vjetorin e themelimit me “Festivalin e Diversitetit”, por ai përfundoi me tmerr.

Kancelari Olaf Scholz foli të shtunën në mëngjes për herë të parë pas sulmit.

“Sulmi në Solingen është një ngjarje e tmerrshme që më trondit shumë. Një vrasës vrau brutalisht disa njerëz”, shkroi ai platformën X, dhe bisedoi në telefon me kryebashkiakun e Solingenit, Tim Kurzbach.

“Mbajmë zi për viktimat dhe qëndrojmë pranë të afërmve të tyre”.

Politikani socialdemokrat iu uroi shërim të shpejtë të plagosurve. “Vrasësi duhet të kapet shpejt dhe të ndëshkohet me ashpërsinë më të plotë të ligjit”, kërkoi Scholz.

Edhe presidenti Frank-Walter Steinmeier shprehu tronditjen e tij. “Akti i tmerrshëm i Solingenit më trondit, na trondit, ai trondit të gjithë vendin”, shkroi presidenti gjerman në platformën X. “Mbajmë zi për ata që humbën jetën dhe lutemi për të plagosurit, që me gjithë zemër iu uroj forcë e shërim të shpejtë”.

Steinmeier kërkoi të qëndrojnë të bashkuar kundër urrejtjes dhe dhunës.

“Më thyhet zemra”

Kryeministri landit Renani-Veriore Vestfali, Hendrik Wust dhe kryetari i bashkisë së Solingenit, Tim Kurzbach u shprehën mjaft të tronditur. “Të gjithë ne donim të festonim përvjetorin e qytetit tonë së bashku dhe tani duhet të mbajmë zi për vdekjet dhe të plagosurit. Më thyhet zemra që pati një sulm të tillë në qytetin tonë. Kam lot në sy, kur mendoj për ata që humbëm, lutem për të gjithë ata që ende po luftojnë për jetën e tyre”, shkroi Kurzbach në Facebook.

Edhe zëvendëskancelari Robert Habeck (Të Gjelbërit) e dënoi sulmin në festivalin e qytetit në Solingen ku tre persona humbën jetën. Habeck tha të shtunën se “lajme të këqija, më të këqijat” kanë ardhur nga qyteti Solingen.

“Dhuna ndaj njerëzve që thjesht donin të festonin me gëzim është thellësisht e dënueshme”, tha Habeck dhe pret nga policia të bëjë gjithçka që mundet për të gjetur autorin sa më shpejt të jetë e mundur.

Autori në arrati – Policia vlerëson regjistrimet e qytetarëve

Policia e ka kategorizuar sulmin si “sulm terrorist”, por ende nuk e di saktësisht se kush ishte agresori, nëse ka vepruar i vetëm apo ka pasur aleatë. Me një aksion të gjerë, policia është ende në kërkim.

Policia kërkon të mos ketë spekulime, si në mediat sociale, për pamjen e një arabi, dhe nuk mund të konfirmojë nëse agresori ishte arab.

Sipas informacioneve të “tagesschau”, policia shpreson tek njerëzit që kanë filmuar me celularët e tyre gjatë koncertit në Fronhof dhe mund të kenë regjistruar pa dijeninë e autorit. Policia tashmë ka “pjesë të ndryshme të enigmës, por ato ende nuk përshtaten së bashku,” shkruan “tagesschau”. /dw

Të ngjashme