Një gjykatë në Gjermani gjobiti dy mjeke gjinekologe me nga 2,000 euro për reklamimin e procedurës së abortit në klinikën e tyre në Berlin.
Muaj më parë, Qeveria e Gjermanisë e hoqi një ndalesë të reklamimit të shërbimeve të abortit që datonte nga epoka naziste.
Por, ligji i rishikuar u lejon mjekëve vetëm të deklarojnë se kryejnë aborte.
Dy mjeket e kanë përshkruar edhe procedurën e “abortit pa anestezi” në një “mjedis të mbrojtur”.
Dy aktivistë kundër abortit e kanë raportuar ueb-faqen e gjinekologeve te prokurorët.
Mjeket Bettina Gaber dhe Verena Weyer thanë se planifikojnë të apelojnë kundër gjobave.
Në janar, pas disa muajsh debat, koalicioni qeveritar i Gjermanisë, i udhëhequr nga demokristianët, e ndryshoi ligjin e vitit 1933, i cili i ndalonte reklamat e abortit, me qëllim përmirësimin e të drejtave të grave.
Megjithatë, reforma nuk shkoi aq larg sa për të lejuar përshkrimet e shërbimeve të abortit që ofrohen.