Të huajt e Bashkimit Evropian (BE) nuk kanë në Gjermani të njëjtën mbrojtje si qytetarët gjermanë. Gjermania lejohet të ekstradojë në vende të treta qytetarë të shteteve të BE. Këtë e vendosi Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg.
Një italian u arrestua në Gjermani, në një ndalim tranzit në fluturimin e tij nga Nigeria në Itali. Mbi bazën e një marrëveshjeje përkatëse ai iu dorëzua SHBA. Atje e kërkonin për shkelje ligjore të së drejtës së karteleve dhe më vonë e dënuan me gjobë dhe me dy vjet heqje lirie.
Kushtetuta gjermane përmban një ndalim ekstradimi për qytetarë gjermanë. Ata nuk lejohet të ekstradohen në shtete të treta jashtë Bashkimit Evropian. Prandaj italiani kërkoi një dëmshpërblim nga Gjermania. Ai argumenton se ndalimi i ekstradimit në ligjin themelor gjerman duhet të vlejë edhe për qytetarë të BE, përndryshe do të shkelej klauzola e ndalimit të diskriminimit në BE.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi ndryshe. Sipas së drejtës së Bashkimit Evropian, një shtet i BE lejohet t’i trajtojë shtetasit e vet ndryshe nga shtetasit e shteteve të tjera anëtare të BE, tha Gjykata. Kjo vërtet që e kufizon lirinë e lëvizjes brenda BE, por është legjitime, për të ndjekur veprat penale dhe për t’i ndëshkuar ato.
Por Gjykata Evropiane e Drejtësisë bëri të qartë se shteti i origjinës duhet të ketë me përparësi mundësinë që ta “kërkojë për vete” me anë të një fletëarrestimi evropian shtetasin e vet. Në rastin e italianit, drejtësinë italiane vërtet që e informuan, por Italia nuk nxorri urdhër arresti. Ekstradimi në SHBA në këtë mënyrë qe në përputhje me ligjin.