Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Axel Dittmann ka thënë se është qëndrim unik i BE- së se qëllimi i negociatave duhet të jetë normalizimi i gjithanshëm i marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës, sepse BE nuk dëshiron brenda vetes çështje të pazgjidhur bilaterale, transmeton Koha.net.
“Gjermania dëshiron të kontribuojë ashtu që dialogu i Beogradit dhe i Prishtinës, me ndërmjetësim të BE-së, të sjellë normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, ne aty jemi partnerë” ka thënë Ditmann.
Sipas tij, asaj që përcjell N1, ai ka thënë se është pozitive që pas zvarritjes, më në fund filluan bisedimet për AKS—në, ndërsa ka shtuar se negociatat nuk do të jenë të lehta, por me rëndësi që BE është i përkushtuar në dialog dhe që përpiqet për arritje të marrëveshjes.
“Është e domosdoshme të gjendet zgjidhja që përfshin të gjitha aspektet e normalizimit të marrëdhënieve. Ne këtë do ta përcjellim me kujdes, bashkë me BE-në që ndërmjetëson në negociata”, ka thënë Dittmann.
Ai ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovës është qëndrimi i përbashkët i Bashkimit Europian.
“E përkrahim këtë proces dhe tash duhet të gjejmë një zgjidhje të mirë kompromisi në mënyrë që marrëdhëniet të normalizohen me bazë të shëndoshë”, ka përfunduar ai.