Autoritetet gjermane po mundohen të gjurmojnë të gjithë që ishin në meshë në një kishë në Frankfurt këtë muaj pasi më tepër se 107 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, shkruan agjencia Reuters.
Kishat në shtetin e Hesses, ku gjendet Frankfurti, janë hapur që nga 1 maji pas lehtësimit të masave kufizuese, por duke u respektuar distanca sociale dhe rregullat e higjienës.
“Situata tregon se sa e rëndësishme është për të gjithë ne që të qëndrojmë të vëmendshëm dhe të mos tregojmë pakujdesi, veçanërisht tash gjatë zbutjes së masave. Virusi ende është aty dhe do të përhapet”, ka thënë ministri i shëndetësisë i Hesses, Kai Klose.
Ai ka thënë se autoritetet po shpresojnë të identifikojnë ata që ishin prezent në kishën Baptiste më 10 maj dhe të parandalojnë infektimin e tjerëve.
Nuk është bërë e qartë nëse të gjithë 107 persona me koronavirus kanë qenë prezent në meshë, apo nëse aty përfshihet numri i personave që janë infektuar nga ata që ishin në kishë.
Numri i rasteve të konfirmuara në Gjermani me koronavirus është rritur në 178.281, sipas të dhënave të së dielës. Ndërkohë janë raportuar 31 të vdekur në 24 orët e fundit, duke dërguar shifrën në 8247.