Instituti gjerman për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani janë shënuar 10 viktima të Covid-19.
Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sëmundja e re në shtetin me popullsinë më të madhe në Evropë shkoi në 8,895.
Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 503 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 190,862, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Gjermania është në mesin e vendeve evropiane me numrin më të lartë të infektimeve, por ka dukshëm më pak viktima se Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Spanja.
Mbi një mijë punëtorë të një thertoreje në këtë shtet janë infektuar me Covid-19, duke i detyruar autoritetet lokale që të gjithë 6,500 punëtorët dhe familjarët e tyre t’i urdhërojnë për t’u vendosur në karantinë.
Vatrat e reja të përhapjes e kanë ngjallur frikën për një valë të dytë të përhapjes në vendin me ekonominë më të fuqishme në Evropë, ku shumë prej masave kufizuese tashmë janë larguar.