Gjermania shton përpjekjet për kontrollin e armëve të zjarrit në Ballkan

Prishtinë | 19 Dhj 2018 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë tha për BIRN se po rrit përpjekjet e saj për të kontrolluar tregtinë e armëve të vogla nga vendet e Ballkanit Perëndimor për shkak se armët po përdoren nga terroristët dhe kriminelët në Europë.

Një nismë e përbashkët nga Gjermania dhe Franca për të trajtuar trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit e ka përfshirë në agjendën politike çështjen e kontrollit të tregtisë së paligjshme të armëve të vogla nga Ballkani Perëndimor, tha për BIRN Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

“Rëndësia e problemit të armëve të vogla në Ballkanin Perëndimor për sigurinë e BE-së u bë e qartë me sulmet e Parisit në vitin 2015. Autorët përdorën armët e zjarrit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor,” tha Ministria e Jashtme në një përgjigje me shkrim.

Ajo tha se Ministria e Jashtme ka vendosur “të rrisë angazhimin e saj dhe të rrisë kontributet e saj në fondet e ndryshme të mirëbesimit – UNDP, NATO, OSBE” të përfshira në përpjekjen për të trajtuar tregtinë ilegale të armëve.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mass njoftoi më 11 dhjetor se më shumë para do të vihen në dispozicion për të luftuar tregtinë e paligjshme të armëve, me fokusin në Ballkanin Perëndimor.

Maas dhe homologu i tij francez Jean-Yves Le Drian organizuan në Paris më 11 dhjetor një konferencë në lidhje me këtë çështje, ku morën pjesë ministra nga Serbia, Kosova, Maqedonia, Bosnja, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Në konferencë u tha se qindra e mijëra armë nga Ballkani kanë qenë në qarkullim në Europë që nga luftërat në rajon dhe se kriminelët dhe terroristët në të gjithë Europën i përdorin ato për të vrarë, sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme gjermane.

“Objektivi ynë nuk është vetëm stabiliteti më i madh në Ballkan. Kjo është gjithashtu çështje e sigurisë së Gjermanisë,” tha Maas.

Ai shtoi se qeveria gjermane për këtë arsye do të rrisë ndjeshëm kontributet e saj dhe do të sigurojë më shumë se shtatë milionë euro në të ardhmen për të financuar projekte si pjesë e Nismës Franko-Gjermane për Armët e Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor.

“Temat kryesore të Nismës Franko-Gjermane janë reforma ligjore, kontrolle kufitare të përmirësuara, shpërndarje më e qartë e përgjegjësisë dhe emërimi i personave të kontaktit kombëtar. Programi i Nismës është ambicioz dhe kërkon mbështetje teknike dhe financiare nga donatorët ndërkombëtarë, fillimisht dhe kryesisht nga BE-ja,” tha Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

Raporti më i fundit nga Anketa e Armëve të Vogla në Gjenevë, një projekt i pavarur hulumtues, përsëri theksoi se sa armë zjarri besohet të jenë në posedim privat në Ballkan.

Raporti, i publikuar në qershor, renditi Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë dhe Kosovën midis 25 vendeve kryesore në botë kur vje  fjala për armë zjarri në posedim të civilëve.

Mali i Zi dhe Serbia ndanin bashkë vendin e tretë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Jemenit, tha raporti.

Bosnja ishte në vendin e dhjetë dhe Maqedonia në të dymbëdhjetin. Kosova u rendit e 17-ta.

Në Mal të Zi dhe Serbi, përqindja e posedimit është rreth 39 armë zjarri për 100 njerëz, në Bosnjë rreth 31, në Maqedoni 30 dhe në Kosovë rreth 24, vlerësoi anketimi.

Të ngjashme