Në Qendrën Goethe të gjermanishtes në Tiranë, partnere e Institutit Goethe, është rritur me ritme të shpejta kërkesa për të mësuar gjuhën gjermane. Drejtorja e kësaj qendre Petra Behlke-Campos thotë për DW se numri i kursantëve është dyfishuar që nga viti 2013 , kurse numri i pjesëmarrësve në provime është trefishuar.
Ligji gjerman, që hyri në fuqi në janar të vitit 2016, sipas të cilit qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të marrin leje qëndrimi për të punuar dhe jetuar legalisht në Gjermani, nëse kanë një kontratë pune me një kompani private apo strukturë publike hapi mundësi të mëdha për të emigruar në Gjermani.
Efekti i tij i menjëhershëm është rritja e jashtëzakonshme e kërkesave për të mësuar gjermanishten si një parakusht për të siguruar një kontratë pune.
Burime zyrtare nga Ambasada gjermane në Tiranë pohojnë për DW se gjatë vitit 2017 kjo ambasadë ka dhënë viza pune për 3.500 qytetarë nga Shqipëria. Ligji i sipërpërmendur i shoqëruar me njoftime në mediat gjermane për vende të lira pune, sidomos për mjekë dhe infermierë, po ushqejnë tek rinia shqiptare e diplomuar në mjekësi dëshirën për të emigruar dhe punuar në Gjermani.
Gjermania – vendi i preferuar për emigrim të ligjshëm
Në kursin e gjermanishtes të nivelit C në Qendrën Goethe në Tiranë po zhvillohen orët e fundit të mësimit për 2017-ën. Në janar pjesëmarrësit në këtë kurs do të japin provimin. Kush e merr do të pajiset me diplomën e gjuhës, që njihet edhe në Gjermani. Kush kërkon të emigrojë dhe përpiqet për një kontratë pune ka me këtë diplomë në dorë një armë të mirë. Në këtë kurs bisedoj me tre vetë të dipolomuar në Tiranë. Të ndryshëm, por me ëndrrën e përbashkët për të emigruar dhe punuar në mënyrë legale në Gjermani.
Nëse më shkon mbarë …
Aurora Likani është nga Fieri dhe po specializohet si mjeke për analizat klinike-biokimike në Laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Për specializimin dyvjeçar ajo paguan rreth 1000 euro në vit.
“Dua të shkoj në Gjermani sapo të marr diplomën si mjeke specialiste laboratori. Laboratori ku bëj specializimin i është dhënë vitin e kaluar një kompanie private me koncesion, e cila ofron shërbimin me fondet shtetërore, fondet publike dhe ka akses të plotë tek aparaturat dhe personeli mjekësor. Për fat të keq, ajo që ndodh në këtë laborator është përdorimi i kiteve me cilësi të ulët për të bërë analizat, pasi kështu kompania nuk harxhon shumë para nga fondet e marra prej shtetit dhe i ngelet më shumë fitim. Por ka analiza që kërkojnë kite me cilësi të lartë. Nëse kundërshton, kompania të pushon nga puna dhe specializimi ndërpritet. Kjo më ka demotivuar shumë dhe është bërë shkas që të mendoj për të emigruar në Gjermani dhe për të kërkuar një kontratë pune në një strukturë shëndetësore gjermane. Nëse më shkon mbarë do të marr edhe familjen time, prindërit dhe vëllanë dhe nuk do të kthehem në Shqipëri. Nëse nuk më shkon, mbarë do të kthehem dhe me dijet e përvojën e fituar dhe do të ngre një laborator analizash bio-kimike”, tregon Aurora planet e saj.
Dua të kontribuoj për vendin tim
Ndryshe nga ajo është projektuar Romina Berellari nga Tirana. Ajo është diplomuar në mjekësi në Universitetin Katolik italian “Zoja e Këshillit të Mirë”, diploma e të cilit njihet në Itali dhe në të gjitha vendet anëtare të BE-së.
“Kam bërë specializim në Itali por nuk kam mbetur e kënaqur. Teknologjia është më e përparuar se në Shqipëri por mjeku specializant ngarkohet edhe me përgjegjësi të tjera dhe ka pagën shumë të ulët, 1.200 euro. Dua të shkoj në Gjermani dhe të specializohem për mjeke dermatologe ose kirurge. Familja do të më mbështesë financiarisht. Pasi të specializohem dua të kthehem në Shqipëri, të kontribuoj këtu, në vendin tim”.
Në Gjermani në mënyrë të ligjshme
Edhe Johan Haviari nga Tirana është diplomuar në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe ka studiuar atje për 6 vjet.
“Prindërit e mi kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme duke paguar një tarifë prej 4. 500 eurosh për çdo vit akademik. Kur isha student vajta tre muaj në Këln dhe më pëlqeu shumë mjedisi i punës dhe sjellja e mjekëve. Pres të jap provimin e gjuhës në janar dhe të aplikoj për të bërë specializimin në kirurgji të përgjithshme në Këln. Për mua sistemi shëndetësor në Shqipëri është i pareformuar. Nëse bën specializim duhet të punosh 10 orë në ditë, edhe të shtunave, me një page prej 270 euro në muaj, të paguash edhe 1000 euro në vit tarifë për specializimin. Pas specializimit, Ministria e Shëndetësisë, të cakton vendin e punës. Nëse nuk shkon, të hedhin në gjyq. Funksionon ende nepotizmi, lidhjet familjare dhe miqësore, gjë që është një problem i madh. E kam vendosur të shkoj në Gjermani dhe të specializohem për kirurgji të përgjithshme. Dua të jetoj dhe punoj në Gjermani në mënyrë të ligjshme. Në Shqipëri ndofta kthehem pas 20 vitesh, ndofta jo”, thotë Johani.
Dukuri pozitive?
Qeveria e Tiranës e konsideron dukuri pozitive emigrimin e ligjshëm të rinisë së shkolluar në universitetet vendase. Dija dhe përvoja e tyre në vende në avanguardë si Gjermania i vlen zhvillimit të vendit, nëse një pjesë e tyre do të kthehet. Nga ana tjetër ky emigrim frenon emigrimin e parregullt dhe azil kërkimin, që mbetet ende problem.