Me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar panairin e prodhimeve vendore dhe forumin ekonomik “10 vjetori i pavarësisë ekonomike të Kosovës”. Ky organizim ishte nën patronatin e presidentit Thaçi. Pjesë e këtij organizimi ishin edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës dhe prodhues vendorë, raporton Ekonomia Online.
Për kompaninë “Pestova”, pjesëmarrëse në panairin e sotëm, më të rëndësishme janë panairet e jashtme sesa ato që organizohen brenda Kosovës. Drejtori i shitjes në këtë kompani, Fatos Kastrati tha se qëndrojnë mirë me eksportin e produkteve, derisa sfidë konsideroi gjetjen e tregjeve të reja.
“Ky eveniment që e ka organizuar Oda Ekonomike për nderë të pavarësisë së Kosovës ka një rëndësi jo shumë të madhe, më tepër është ceremoniale, për shkak që ne në tregun vendor jemi lider dhe sa i përket edhe shitjes jemi mirë. Për neve më të rëndësishme janë panairet e jashtme dhe pjesa e kontakteve me distributorë potencial të jashtëm, mirëpo edhe ky si panair e ka natyrën e vet ceremonial për nderë të pavarësisë së Kosovës, e cila e ka një rëndësi më tepër si prodhues kosovarë sesa në aspektin e shitjes ose të ndonjë mundësie eksporti eventual”, tha Kastrati.
“…aktualisht nuk mund të themi që ka sfida të theksuara sa i përket eksportit. Sfida e vetme është me gjet tregje të reja. Departamenti i eksportit të cilin e kemi në kompani funksionon në kohë reale sa i përket hulumtimit të tregjeve të reja aty ku nuk jemi prezent. Edhe mirëmbajtja edhe marrëdhënia me distributorët ekzistues në ato tregje ku jemi prezent. Kemi ngritje shumë të madhe në eksport. Kemi ngritje mbi 300 për qind sa i përket eksportit”, tha Kastrati.
Ndërsa Betim Kryeziu nga kompania “Frutex” tha se panairi i sotëm i organizuar nga OEK është shumë i rëndësishëm pasi u ndihmon prodhimeve vendore që të promovohen brenda Kosovës. Ai shtoi se produktet e “Frutex” janë prezente në 30 shtete të botës.
“Oda Ekonimike si çdo herë tjetër edhe kësaj here ka bërë një organizim ku ne gjithmonë jemi pjesëmarrës. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme sepse u ndihmon prodhimeve kosovare që të promovohen brenda territorit të Kosovës. Kompania jonë dihet se vite me rradhë është ndër kompanitë top eksportuese. Ne jemi të kënaqur sepse eksporti ynë çdo vit është në rritje e sipër. Jemi prezent në 30 shtete të botës, përveç Kosovës, në pjesën e BE-së, Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Për ne është shumë e rëndësishme dhe jemi të kënaqur me atë që kemi arritur deri tani”, tha Kryeziu.
Presidenti Hashim Thaçi, tha në këtë manifestim se është koha që shteti të mbushet me prodhime “Made in Kosova”. Sipas tij, bizneset kanë kaluar nëpër sfida të panumërta për dhjetë vjet, por që me ta është zhvilluar Kosova.
Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sfidë vlerësoi se mbetet mos liberalizimi i vizave që po u pengon bizneseve e studentëve që të kenë qasje në vendet e tjera.