Gjilan: Akuzohen edhe dy zyrtarë për keqpërdorim të detyrës

Prishtinë | 26 Sht 2016 | 14:39 | Nga

Prokuroria Themelore në Gjilan Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër dy të pandehurve, B.H dhe L.D., njofton Prokuroria e Shtetit.

Në njoftim thyhet se aktakuza u ngrit për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale: keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe frikësimi gjatë procedurës penale nga neni 395 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, B.H. nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbush detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri i dytë, L.D., më 08.04.2016, me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale frikësimi gjatë procedurës penale nga neni 395 të KPRK-së.

Të ngjashme