Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim kryesuesin e divizionit të Rotary Leadership Institute për Kosovë, Neshat Asllani.
“Rotary Club Kosova është organizatë me rezultate të admirueshme dhe ka bërë që shtrirja e rrjetit dhe organizimi i rotarianëve në Kosovë dhe regjionin e Ballkanit të jetë jashtëzakonisht e madhe dhe e fuqishme. Unë si njëri prej tyre, e falënderoj Rotary Club Gjilani për angazhimin dhe projektet e përbashkëta që kemi arritur t’i realizojmë, sikurse edhe me Prishtina International dhe me rotarianët kudo në Europë”, ka thënë Haziri pas takimit.
Haziri ka pranuar edhe mirënjohjen e nga Rorary Club Prishtina International për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e shumë projekteve në të mirë të komunitetit, ndërsa pohoi se 5 korriku në Gjilan do të shënohet si Dita e Rotarianëve.
Kryesuesi i divizionit të Rotary Leadership Institute për Kosovë, Neshat Asllani, e ka falënderuar kryetarin e komunës.
“Në komunën e Gjilanit ne kemi shumë punë për të bërë sepse kemi një përvojë të mirë për projektet që janë bërë nga Rotari në këtë komunë”, tha Asllani.
Në fund, Asllani ia vendosi kryetarit Haziri PIN-in e Rotary, duke thënë se ky e identifikon një lider rotarian.