Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur në takim pune kryetarin e komunës së Gostivarit, Arben Taravari, me të cilin kanë biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në nivel komunal përmes programeve e projekteve të përbashkëta ndër komunale në të mirë të qytetarëve të dy komunave.
Haziri ka thënë se, “takimi i sotëm ka qenë në kuadër të ofrimit të bashkëpunimit mes dy komunave, sepse kemi shumëçka të përbashkët. Komuniteti ynë i dy komunave, kultura, sjellja etj janë si dy pika uji. Dëshiroj që bashkëpunimi Gjilan – Gostivar të thellohet edhe më shumë dhe pse jo që të kemi bashkëpunim të pushtetit lokal edhe jashtë regjionit tonë, duke e ndihmuar njëri – tjetrin për përfaqësim sa më të mirë”, ka thënë Haziri.
Kurse nga ana e tij Taravari, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që të jetë në Gjilan.
“Ne si Komunë së bashku me Gjilanin mund të bëjmë implementimin e projekteve të përbashkëta ndër komunale. Raportet tona do të vazhdojnë të thellohen dhe të jenë edhe më me intensitet, përmes ideve, projekteve dhe bashkëpunimit ndër komunal e ndërshtetëror”, ka thënë Taravari.