Kuvendi Komunal i Gjilanit i ka shpallur “Qytetarë Nderi” dy personalitete të kësaj komune, të cilët kanë vepruar në diasporë, aktivistin politik Ilir Mustafa (pas vdekjes) si dhe afaristin Fehmi Fetahu.
Propozimi për nderimin me këtë titull të lartë nderi të këtyre dy veprimtarëve, është bërë nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se të dy këta emra, në fusha të ndryshme prej njëri-tjetrit, ka bërë shumë për afirmimin dhe zhvillimin e komunës së Gjilanit dhe Kosovës, në përgjithësi.
Ilir Mustafa, për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e studentëve dhe dënimit me burg, për këtë arsye, në vitin 1981, ishte detyruar të migrojë jashtë, për t`i shpëtuar përndjekjes nga policia serbe.
Në vitet 1989 – 1995, Iliri ka qenë pjesë e fuqishme e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Gjilan.
Gjatë qëndrimit në Francë, bëri një punë të palodhshme në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Gjilanit dhe qytetit të Luterbahut, duke arritur edhe t`i binjakëzojë këto dy komuna, në vitin 1996.
Ka qenë anëtar aktiv i Shoqatës “Lëvizja për një alternativë jo-violente” në Francë, sikurse edhe veprimtar në shoqata të ndryshme humanitare, pastaj themelues dhe nënkryetar i Shoqatës “Kosovo Ensemble” (Bashkërisht për Kosovën), me seli në Francë.
Në vitin 2000 Ilir Mustafa ka bërë themelimin e Qendrës Kulturore Francë-Kosovë në Gjilan, pastaj në vitin 2002 ka themeluar Shoqatën e mësimdhënësve të gjuhës frënge në Kosovë, më vonë edhe Agjensionin për Demokraci Lokale në Kosovë (Gjilan), mbështetur nga Këshilli i Europës.
Iliri ka qenë gjithashtu edhe këshilltar politik i kësaj Agjencie dhe ndërmjetësues i suksesshëm për futjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës në Kongresin e Pushteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit e Evropës, në cilësinë e vëzhguesit.
Ka ndërruar jetë më 3 prill 2017, pas një përkeqësimi të shpejtë të gjendjes shëndetësore.
Ndërkaq, mërgimtari dhe afaristi Fehmi Fetahu ka arritur që një vend pa rrugë dhe të lënë pas dore në kodrinat e Përlepnicës së Gjilanit, ta shndërrojë në një nga perlat e Ballkanit, ku aktualisht ka 220 të punësuar me kontrata afatgjate. Filloi me një restorant dhe një fermë kuajsh “Vali Ranch”, për t`u zgjeruar biznesin e tij në një nga hotelet më luksoze për ushqim dhe ahengje familjare në rajon.
Ndihmesë të madhe ka dhënë në sistemimin e të pastrehëve, duke ndërtuar rreth 20 shtëpi dhe duke mbështetur financiarisht dhe moralisht qindra familje të tjera kosovare në nevojë.
Ai beson se humaniteti është ai që i ka mbajtur gjallë me shekuj trojet tona.
Në sferën e artit, ka mbështetur rregullisht me mjete financiare festivalin e muzikës për fëmijë “Mollëkuqet”.
Është një mbështetës i madh i komunës së Gjilanit në projektet e ndryshme të saj për diasporën, mbështetës i bizneseve vendore, fermerëve.
Në cilësinë e themeluesit/bashkëpronarit, ka krijuar dy biznese të suksesshme në Zvicër dhe Kosovë, për të përkrahur familjet dhe njerëzit e vendit të tij që të realizojnë të ardhura të kënaqshme dhe të bëjnë një jetë të qëndrueshme.
Ka realizuar dhe menaxhuar projekte qindra mijëra eurosh në Zvicër dhe më gjerë, duke arritur që ta bëjë realitet vizionin e kompanive shqiptare jashtë vendit, ka thënë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.