Gjilani me kundërshtar nga Luksemburgu, Dukagjini nga Gjibraltari në Ligën e Konferencës

Prishtinë | 20 Qer 2023 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Edhe dy skuadrat tjera nga Kosova, Gjilani e Dukagjini kanë mësuar kundërshtarët në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës pas shortit të tërhequr të martën në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës.

Në këtë rund, Gjilani do të ketë punë me kundërshtar nga Luksemburgu, ndërsa Dukagjini nga Gjibraltari. Skuadra e Gjilanit do të luaj kundër ekipit Progres Niederkom, ndërkohë Dukagjini do të përballet me FC Europan.

Të dyja skuadrat, do t’i luajnë si vendas ndeshjet e para, përpara se ato të kthimit ti zhvillojnë në udhëtim.

Duelet e para të këtij rundi, luhen më 13 korrik kurse ato të kthimit pas një jave. Progres Niederkomi, ka dalë nënkampion i Luksemburgut edicionin e fundit kurse Gjilani ka përfunduar i treti në Superligën e Kosovës. Ekipi nga Luksemburgu ka fituar tre tituj kampioni, të fundit në vitin 1981. Për Gjilanin, kjo do të jetë hera e tretë që paraqitet në garat e UEFA-s, ndërsa e dyta rresht që do të luajë në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Në edicionin 2020/21, debutoi në parakualifikime të Ligës së Evropës për t’u eliminuar në rundin e parë kualifikues. Ndërsa, edicionin e shkuar u eliminua në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndërkohë, Dukagjini debuton këtë edicion në garat evropiane pasi ka përfunduar i katërti në elitën e futbollit kosovar. Europa FC edicionin e fundit përfundoi nënkampione, ndërsa në garat e UEFA-s po paraqitet për herën e dhjetë. Në edicionin 2018/19, kjo skuadër u pat mposhtur nga Prishtina në rundin parakualifikues të Ligës së Evropës me rezultatin e përgjithshëm 6:1.

Të ngjashme