Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Kompaninë Regjionale të Ujit Hidromorava, ka ndarë sot 200 mijë euro për hapjen e puseve të reja.
Lajmi u bë i ditur pas takimit te Task -Forcës për Menaxhimin e Thatësisë, të udhëhequr nga kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ndërkaq ka marrë pjesë edhe drejtori KRU Hidromorava, Muhamet Suliqi, komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, Alban Ramushi dhe zyrtarë të tjerë.
Haziri ka thënë se si pasojë e thatësisë, gjendja me furnizim të ujit të pijshëm vazhdon të jetë emergjente, derisa ka apeluar qytetarët që ta kursejnë ujin maksimalisht.
“Përndryshe, në mungesë reshjeve mund të mbyllet përkohësisht furnizimi nga Penda e Përlepnicës shkaku i ndotjes”, tha ai.
Drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, tha se do të vazhdojë reduktimi i ujit, 14 orë në ditë, derisa tha pohoi se zgjidhja e përkohshme është hapja e puseve tek kazerma e FSK dhe në lagjen Fidanishte.
Aktualisht, Gjilani po furnizohet nga Penda e Përlepnicës, nga burimi Guri i Hoxhës, te Baja dhe në Velekincë.
Komuna e Gjilanit dhe Kompania Hidromroava kanë kërkuar nga Këshillit Ndërministror për Menaxhimin e Thatësisë që të ndërhyjnë me mjete financiare për të zbutur gjendjen e furnizimit të ujit të pijshëm.
Në kuadër të këtij projekti emergjent, Komuna e Gjilanit ka ndar 140 mijë euro, ndërkaq KRU Hidromorava 60 mijë.