Komuna e Gjilanit ka njoftuar se nën përkujdesjen e kryetarit të kësaj komune, Lutfi Haziri është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veteranit të arsimit, Rabit Rexhepi.
I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka kujtuar angazhimin që i ndjeri ka dhënë në hapjen e shkollave shqipe dhe arsimit në përgjithësi, por njëkohësisht edhe vendosmërinë e tij në rrafshin politik dhe institucional.
“Rabit Rexhepin do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin e madh që ka dhënë në të gjitha proceset, e veçanërisht në përkushtimin e tij që kishte për arsimin, çështjet humanitare dhe mbështetjen e parezervë të rinisë në rrugën drejtë pjekurisë politike e intelektuale”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, Xhafer Xhaferi, në emër të fshatit Pogragjë, por edhe të kolegëve, tregoi për veprimtarinë e të ndjerit që nga fillimi e deri në vdekjen e tij.
“Vepra e Rabit Rexhepit është dhe do të mbetet gjatë gjithë jetës një shembull dhe udhërrëfyes që nga familja e deri te qytetarët në përgjithësi se si duhet të jetë përkushtimi dhe se si duhet të punohet për emancipim të shoqërisë në mënyrë permanente”, tha Xhaferi.
Kurse në emër të familjes, ish – deputeti Fatmir Rexhepi, ka ndarë me të pranishmit afërsinë dhe vlerësimin e lartë që kishte Rabit Rexhepi nga presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova dhe nga profesori, Fehmi Agani.
Ai u varros pasdite në varrezat e qytetit të Gjilanit.