Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan ka shpërndarë të martën farë gruri për 940 fermerë, ose 140 mijë kilogramë.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se baza për zhvillim ekonomik lokal mbetet bujqësia.
“Unë i uroj 940 familjet bujqësore që po e mbajnë jetën gjallë në komunën tonë sepse baza për zhvillim ekonomik lokal mbetet bujqësia. Në këtë rrafsh, Komuna ka vendosur që t’i subvencionojë bujqit. Uroj që këto mbjellje të sjellin bukë në sofrat tona më shumë, siguri më të madhe për familjen dhe lehtësim në punë. Krahas kësaj, do t’i rrisim subvencionet për zgjerimin dhe rritjen e pemëtarisë dhe perimtarisë”, tha Haziri.
Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, pasi e falënderoi kryetarin Haziri për përkrahjen në sektorin e bujqësisë, ka njoftuar se vlera e projektit është afro 50 mijë euro.
“Është farë e verieteteve hungareze, të cilat janë testuar për një kohë të gjatë në tokat tona dhe janë jashtëzakonisht të përshtatshme. Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që t’u sigurojmë fermerëve edhe mekanizim, prandaj nobjektivi ynë është, jo vetëm ta rrisim punimin e sipërfaqeve të tokës, por edhe produktivitetin, duke e përdorë potencialin gjenetik të farës dhe optimumin e përgatitjes së tokës”, ka thënë Ramadani.
Drejtori i Bujqësisë në Gjilan ka njoftuar se janë në përgatitje edhe të projektit të ngritjes së 15 hektarëve me arra.