Klubi i futbollit Gjilani ka tërhequr ankesën përmes së cilës kishte pretenduar t’i fitonte tri pikë në tavolinë për ndeshjen e shtyrë të hënën ndaj Prishtinës.
Gjilani kishte kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës që t’ia japë fitoren në tavolinë, pasi dështoi të zhvillohet ndeshja në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja ishte shtyrë pak para se të niste me vendim të Komisionit të Garave, meqë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ishte marrë vendim që mos të lejohej zhvillimi i takimit me arsyetimin se për stadiumin “Fadil Vokrri” nuk është bërë ende pranimi teknik, shkruan sot Koha Ditore.
Për vendimin për tërheqje të ankesës ka njoftuar të mërkurën mbrëma klubi gjilanas.
“Sot në orët e pasdites me kërkesë të kryetarit të FFK-së Agim Ademi është zhvilluar një takim mes tij dhe kryetarit të Gjilanit, Florim Zuka. Temë diskutimi në këtë takim ishte shtyrja e ndeshjes në mes të Prishtinës dhe Gjilanit. Pas kërkesës së Ademit kryetari Florim Zuka ka marrë vendim që Gjilani të tërhiqet nga ankesa dhe të pranojë zhvillimin e ndeshjes në një orar të përshtatshëm për të dy ekipet. Shtyrja e kësaj ndeshjeje ka qenë tërësisht e kundërligjshme dhe e drejta është në anën e Gjilanit, mirëpo për hir të zhvillimit sa më normal të kampionatit dhe për respektin ndaj kryetarit të FFK-së, Gjilani tërhiqet nga ankesa me bindje se situatat e tilla nuk do të përsëriten më”, thuhet në njoftimin e Gjilanit.
Takimi i ka takuar xhiros së parë të kampionatit të Kosovës dhe nuk ka vendim të ri për të.