Gjini: Asnjë vizitë nga pelegrinët serbë në Gjakovë derisa nënat t’u japin leje

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 18:58 | Nga

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se askush tjetër përveç nënave gjakovare s’ka të drejtë t’iu japë leje serbëve për pelegrinazh.

Në një reagim të tij për Facebook, ka thënë se Gjakova ka pësuar shumë, prandaj sipas tij s’mund të quhet i sinqertë asnjë tentim tinëzar prapa shpinës së nënave që ende edhe pas gati 20 viteve i kërkojnë trupat e bijve e bijave të tyre.

Postim i i plotë i Gjinit:

”Kërkoni leje prej nënave!

Gjakova ka pësuar shumë! Shumë më shumë se sa që mund të anticipojnë njerëzit që i shohin përpjekjet për lëvizje të lirë e edhe për pelegrinazh si mundësi provokimi dhe rikthimi të dhembjes e ankthit për qytetarët, që i kanë humbur më të dashurit e tyre, në mënyrën më mizore të mundshme.
Nuk mund të quhet i sinqertë asnjë tentim tinëzar për t’u përvjedhur prapa shpinës së nënave që ende, edhe pas gati 20 viteve, i kërkojnë trupat e bijve e bijave të tyre.
Askush nuk mund të japë leje për pelegrinazh pos tyre!
Serbët që kanë jetuar në Gjakovë duhet dhënë prova të pamohueshme, të padiskutueshme dhe të qarta si loti se angazhohen të paktën për gjetjen e trupave të viktimave të vrara e të masskruara; të mos i mohojnë krimet; të mos i justifikojnë kriminelët; dhe, edhe ata që nuk kanë kryer krime drejtpërdrejtë, t’iu kërkojnë falje të sinqertë ish fqinjëve të tyre, sepse nëse asgjë tjetër nuk kanë bërë, kanë qenë dëshmitarë të heshtur të djegjeve, shkatërrimit dhe masakrave brutale!
E pastaj,… duhet t’iu kërkojnë leje nënave dhe qytetarëve të Gjakovës! Askujt tjetër!
Si kryetar i Gjakovës iu garantoj se pasi që ta keni marrur lejen nga nënat e viktimave, askush nuk do ta pengojë asnjë vizitë apo pelegrinazh!”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme