Gjini: Tash Kosova shkon në zgjedhje, fajtor i vetëm Albin Kurti

Prishtinë | 23 Sht 2026 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit.

Gjini ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar, duke pretenduar se Aleanca e kishte paralajmëruar këtë situatë prej kohësh.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar.

Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë. E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë. Edhe këtë Aleanca e ka spikatur panumër herë”, ka shkruar Gjini.

Sipas tij, pas këtij zhvillimi, vendi tashmë shkon drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa përgjegjësinë për këtë situatë ia ka atribuuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, ka deklaruar Gjini.

Kreu i AAK-së ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka nxjerrë vendin nga një situatë që, sipas tij, mund të çonte në një krizë të paparashikuar më 6 tetor.

“Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste”, ka shkruar ai.

Gjini ka kritikuar gjithashtu çdo shkelje të mundshme të Kushtetutës, duke thënë se ato nuk mund të arsyetohen me motive patriotike.

“Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”, ka shkruar Gjini.

Ai ka thënë se qytetarët, sipas tij, i kuptojnë interesat politike të aktorëve të ndryshëm dhe e dinë se kush ofron zgjidhje për përmirësimin e jetës së tyre.

“Populli i Kosovës e ka të qartë çdo lojë politike për interesa të ngushta partiake të cilitdo akter, dhe po ashtu e ka të qartë se kush ofron zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët”, ka shtuar Gjini.

Të ngjashme