Saranda është gati për verë, por siç është tradicionale ndër ne, edhe këtë vit ka munguar planifikimi. Ndonëse sezoni është hapur, Saranda, destinacioni nr 1 i turizmit në vend, nuk ka mbyllur ende punët. Kjo e metë në fushën e turizmit ka kosto të cilat paguhen.
Turizmi është produkt i cili shitet në tregjet ndërkombëtare dhe kërkon standarde të cilat po qe se nuk kalojnë nëpërmjet një procesi planifikimi shumë serioz, është e pamundur të arrihen. Sipas operatorëve turistikë të zonës, mungesa e planifikimit ndikon në pamundësinë për të pasur seriozitet në kontratat e furnizimit, duke filluar nga furnizimi me energji elektrike, ujë dhe deri tek furnizimi me materiale konsumi cilësore.
Vështirësitë me të cilat përballen turistët dhe operatorët turistikë
Disa prej këtyre vështirësive ka të bëjë me infrastrukturën e energjisë elektrike dhe ujit, vështirësitë e lidhjeve në rrjetin elektrik ose kualiteti i ulët i rrymës elektrike, dhe po kështu edhe me ujin. Ujë me botë pa fund dhe me kosto shumë të lartë. Uji sot në Sarandë me botë kushton po aq sa kushton uji në një ishull grek, që ujin e transporton me traget.
Transporti rrugor vazhdon të jetë problem me gjithë përmirësimet që ka pasur në këto vite. Kalimi i Llogarasë vazhdon të jetë një traumë për autobusët e turistëve, për shkak të mungesës së sinjalistikës, mbrojtëseve të rrugës dhe kthesave. Ndërkohë, Qafëmuzina mbetet një 45 minutësh i vështirë për të gjithë turistët e ndjeshëm ndaj kualitetit të keq të rrugës.
Mungesa e një aeroporti ndërkombëtar e bën Sarandën vështirë të arritshme, pavarësisht se është një destinacion me minimalisht 3 ditë turizëm kulturor e historik, me Butrintin, Finiqin, Syrin e Kaltër e Gjirokastrën pranë.
Turistët ndërkombëtarë, kryesisht, vijnë nga aeroporti i Korfuzit, duke humbur minimalisht 2 ditë turizëm atje.
Porti i Sarandës akoma nuk është një port serioz i hyrjes së turistëve. Përveç linjës me Korfuzin, e cila dhe ajo është shumë e rrallë dhe me orare të vështira për të qenë në ndihmë të turizmit, nuk ekzistojnë linja të tjera të rregullta. Përveç mungesës së linjave të rregullta, mungojnë edhe shërbimet charter dhe taksitë e detit, që do të ndihmonin shumë në mobilitetin e turizmit. Infrastruktura njerëzore vazhdon mbetet problem i madh. Riaktivizimi i shkollave profesionale të turizmit ka qenë hap i madh, por akoma nuk ndjehen frytet e kësaj pune të bërë në këtë drejtim. Mungojnë njerëzit e trajnuar në çdo zanat kuzhine, housekeeping, reception management etj.
Lidhjet Bashki-Biznes
Operatorët turistikë ankohen se mungon ende një strategji kombëtare që integron burimet dhe mundësitë në fushën e turizmit si një nevojë kombëtare.
Por ata theksojnë se, ndërkohë, ka një vetëdijesim shumë serioz nga ana e pushtetit lokal në raport me turizmin.
“Është shumë e rëndësishme që administratorët lokalë, tashmë janë në krye të betejës për të prodhuar sa më shumë produkt turistik në bashkitë e tyre.
Ata janë gjenerata e administratorëve lokalë të dijshëm që bashkia është partnere me sipërmarrësit dhe që vlera e një bashkie matet me sa produkt prodhon. Ata përpiqen bashkë me ne që të maksimizohet si gjatësia, ashtu edhe cilësia e sezonit turistik. Gjej rastin të shpreh falënderimet si për kryetaren e Bashkisë së Sarandës, znj. Floriana, ashtu edhe për kryetarin e Bashkisë së Himarës, z. Goro. Problemet infrastrukturore që ata trashëgojnë janë pjesë e mungesës së një analize strategjike që shteti duhet të bënte për ritmet e rritjes dhe orientimet e zhvillimit.”-shprehet Arbër Perolli, menaxher i kompleksit “Gjiri i Bukenvileve”.
Hoteli me pesë yje, i pari i llojit të vet, në qytet
“Biznesi që unë përfaqësoj dhe që hedh në treg sivjet, hotelin me 5 yje ‘Gjiri i Bukenvileve’, në Sarandë, ka si përparësi: Njohjen e thellë të tregut zhvillimor dhe turistik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon,” – thotë për dritare.net, Arbër Perolli menaxher i kompleksit.