Disa prej kompanive të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës, për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit, në nivel vendi, u ka skaduar afati i kontratës. Por Ministria e Infrastrukturës, tha se kontratat për kompanitë e kontraktuara do të vazhdohen dhe nuk ka hapësirë për shqetësim.
Kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve në sezonin e dimrit këtë vit do të ballafaqohen me problemin e kontratave. Ndonëse kontratat do të duheshin të bëheshin në muajin nëntor, dhe kompanitë të jenë të gatshme për punë, këto të fundit pikërisht tani kanë mbetur pa kontrata.
Por, Ministria e Infrastrukturës, që është përgjegjëse për kontraktimin e kompanive në nivel vendi, tha se tashme gjithçka është e gatshme. Qemajl Jonuzi, udhëheqës i divizionit për mirëmbajtjen e rrugëve në këtë ministri, tha për televizionin publik se kompanive do t’u vazhdohen kontratat dhe nuk ka hapësirë për shqetësim.
“Disa kompanive u ka përfunduar kontrata, disave u përfundon në muajin dhjetor, por ne, si ministri jemi të angazhuar që të njëjtave kompani t’u vazhdohen prapë kontratat. Qytetarët duhet të jenë të qetë në këtë drejtim, pasi tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet dhe nuk do të ketë probleme në mirëmbajtje”, tha Jonuzi.
Komuna e Prishtinës, si qendra më e madhe e vendit, tashmë i ka të kontraktuara kompanitë për mirëmbajtje të rrugëve gjatë sezonit dimëror. Sipas Miranda Mullafazliu, nga Zyra për Marrëdhënie me Media në Komunën e Prishtinës, të gjitha kompanitë janë të pajisura me makineri dhe material përkatës, për të siguruar rrugë të kalueshme, pa pengesa dhe të sigurta edhe gjatë reshjeve të borës për qytetarët e Komunës së Prishtinës.
Se janë të gatshëm për sezonin dimëror është deklaruar edhe drejtori i Kompanisë “Pastrimi”, Feim Salihu.
“Jemi të përgatitur me makineri, me punëtorë dhe me pajisje të nevojshme për të intervenuar në rrugë. Gjithashtu jemi të pajisur edhe me kripë e rërë, dhe tashmë si kompani jemi të gatshëm të intervenojmë ku do që është e nevojshme”, deklaroi Salihu.
E qytetarët e vendit, në bazë të ligjit, janë të obliguar që ta mënjanojnë vetë borën para lokaleve dhe objekteve të banimit të tyre dhe ta vendosin skajeve të rrugës, prej nga kompanitë e pastrimit do ta marrin dhe do ta largojnë.