Organet e rendit kanë ndërmarr masa të jashtëzakonshme për krijimin e një sigurie sa më të madhe për nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Forca të shtuara të policisë po vërehen rreth e qark hotelit “Swiss Diamond”, ku do të qëndrojë nënpresidenti amerikan, Joe Biden.
Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë, forcat e rendit kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve nëpër rrugët afër këtij hoteli si dhe kanë kërkuar nga banorët e zonës përreth që t’i rrallojnë lëvizjet dhe të mbajnë mbyllur dritaret e banesave të tyre.
Krahas forcave tona të rendit vërehen edhe pjesëtarë të sigurimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjithçka gati për pritjen e Bidenit
Autoritetet në Kosovë kanë kryer të gjitha përgatitjet për pritjen zyrtare të nënpresidentit amerikan, Joe Biden, i cili pritet të arrijë sonte në Kosovë, për një vizitë të shkurtër.
Sheshet kryesore të kryeqytetit janë zbukuruar me flamuj amerikanë dhe të shtetit të Kosovës.
Edhe Parlamenti i Kosovës e ka bërë gati sallën, ku pritet të mbahet konferenca gjatë ditës së nesërme. Biden nesër pritet të zhvillojë takime me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa, ndërsa më vonë do të marrë pjesë në përurimin e një rruge në Gjilan, e cila do ta mbajë emrin e djalit të tij të ndjerë, Beau Biden, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar nga kanceri.
FOTOT: EKONOMIA ONLINE