Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK) shpreh shqetësim të thellë dhe alarm serioz për gjobat dhe dënimet e vendosura nga Inspektorati në një moment kur Radiotelevizioni i Kosovës ndodhet në gjendjen më të rëndë financiare dhe institucionale që nga paslufta.
Në komunikatë për media SPERTK, thotë se “RTK sot po kërcënohet drejtpërdrejt nga borxhe të akumuluara ndër vite, si dhe nga borxhe të reja që po krijohen aktualisht si pasojë e veprimeve të paligjshme, vendimeve arbitrare dhe shkeljeve të vazhdueshme të ligjit nga menaxhmenti në detyrë. Në këtë situatë, ndëshkimi financiar i RTK-së nuk është zgjidhje – është goditje e drejtpërdrejtë ndaj institucionit publik dhe punëtorëve të tij”.
SPERTK kërkon urgjentisht:
• Zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve dhe veprimeve të Inspektoratit të Punës nga menaxhmenti në detyrë i RTK-së.
• Ndalimin e menjëhershëm të gjobave ndaj RTK-së, të cilat vetëm sa e thellojnë krizën dhe rrezikojnë funksionimin normal të institucionit publik.
Për të gjitha borxhet e krijuara, si ato të së kaluarës ashtu edhe ato aktuale, SPERTK do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës sapo ai të konstituohet, si dhe organeve të drejtësisë, për të kërkuar përgjegjësi konkrete dhe individuale për shkeljet e ligjit.
SPERTK kërkon zbatim të ligjit, jo deklarata formale dhe jo improvizime. Nëse menaxhmenti në detyrë i RTK-së dhe institucionet kompetente vazhdojnë të injorojnë ligjin dhe përgjegjësinë, SPERTK paralajmëron se do të ndërmarrë masa sindikale shumë shpejt.
Ligji nuk është opsion. Është obligim.