Gjocaj shpreson që ligji i ri do të rregullojë për së paku tri dekada çështjen e mbarësimit artificial

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Gjinekologu Curr Gjocaj ka thënë se shpreson që me ligjin e ri për shëndetin riprodhues çështja e mbarësimit artificial në Kosovë të jetë e rregulluar për së paku tri dekada.

Sipas tij, ligji që po ripërpunohet, sipas planeve, duhet të marrë sivjet dritën jeshile të zyrtarizimit e të implementimit.

Në Express Intervistën në KTV, ai ka folur për arrestimet e fundit të mjekëve nën dyshimet se kanë bërë shitblerjen e materialit gjenetik dhe kanë shfrytëzuar “qelizat e huaja seksuale” të çifteve për t’i bërë prindër të tjerë çifte, pa autorizim të personave nga të cilët janë marrë ato.

Sipas tij, ligji i ri parasheh edhe një databazë e cila do të ketë të dhëna konfidenciale ku nuk do të lejohet keqpërdorim nga askush.

Gjocaj ka thënë se ligji specifikon se ky proces vlerësohet si donacion. “Po bëhet punë intensive dhe në një nga takimet kemi diskutuar për çështjen se si të specifikohet ky proces. Ka mendime që dikush që dhuron pse të mos kompensohet e ka edhe sugjerime nga juristët që korniza ligjore duhet të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së, ku bazohet kryesisht në donacion”.

Ai ka thënë se si pjesë e grupit punues për ligjin e ri, e sheh si “fat në fatkeqësi” publikimin e rasteve të fundit, duke thënë se do të ndihmojnë në hartimin e ligjit.

“E gjithë përvoja disa vjeçare dhe ndodhitë na kanë shërbyer që t’i fusim në ligj të gjitha reformat e nevojshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka mendime të ndryshme që të lejohet vetëm një donacion, e ka edhe që mendojnë të lejohet deri në dy. Ka thënë se databaza që duhet të krijohet, parasheh që një emër që ka dhuruar materialin gjenetik të ruhet dhe në rast se shkon në spital tjetër për të kryer të njëjtën procedurë, automatikisht përmes databazës t’i ndalohet veprimi.

Arrestimet e mjekëve lidhur me rastet e fundit, ka thënë se janë humbje e imazhit profesional të krijuar në Kosovë. “ Është shqetësuese për mua të shkohet direkt në arrestim. Është Inspektorati. Nëse ka shkelje mbyllet, ka gjoba, dhe nuk i shpëton askush problemit penal nëse e ka shkel. Faktet janë. Ka thënë inspektorati, hetuesia, pse direkt në arrestim. Duhet t’i thërrasësh si njerëz. Mendojmë se ke shkelur ligjin, cila është e drejta jote e në fund vendos gjykata. Kjo lloj forme nuk mendoj se është e mirë”, ka shtuar ai.

Ai ka bërë të ditur se në procesin e mbarësimit artificial është e ndaluar përzgjedhja e gjinisë, por kjo mund të lejohet vetëm në rastet kur analizat e çiftit tregojnë se një sëmundje është e transmetueshme vetëm te njëra gjini.

Të ngjashme