Kampioni në fuqi, Novak Gjokoviq, është eliminuar nga Grand Slami “US Open”, pasi dorëzoi përballjen e rrethit të katërt me zviceranin Stan Wawrinka, të dielën mbrëma.
Gjokoviq, 32-vjeçar, u tërhoq për shkak të një problemi të shpatullës, pak sekonda pasi e bëri një gabim të dyfishtë në servim, ndërsa ishte në disavantazh me 2:0 në sete dhe humbi shërbimin në setin e tretë, shkruan sot Koha Ditore.
Ai u përcoll me fishkëllima të mëdha kur vendosi të tërhiqej, ndërsa edhe më tepër derisa po largohej nga fusha.
“Më vjen keq për tifozët. Ata erdhën për të parë ndeshjen e plotë, por nuk ishte e shkruar”, ka thënë tenisti numër një në botë, Gjokoviq.
Fituesi i tre Grand Slameve, Wawrinka, dominoi përballjen e 1/8 së finales në një atmosferë elektrizuese në arenën “Arthur Ashe”, duke treguar një paraqitje të fuqishme që ka kthyer kujtimet e formës së tij më të mirë. Ai krijoi epërsi 6:4, 7:5 dhe 2:0, para se Gjokoviq të vendoste se nuk mund të vazhdojë më.