Gjokoviq ndalohet sërish në Australi, e deklarojnë kërcënim publik

Prishtinë | 15 Jan 2022 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Australia e ktheu Novak Gjokoviqin në mbajtje të shtunën (15 janar), duke thënë se kundërshtimi i yllit të tenisit ndaj vaksinimit mund të shkaktojë “trazira civile”.

Pasi një herë nuk arriti të largonte 34-vjeçarin e pavaksinuar nga vendi, qeveria konservatore e Australisë po përpiqet sërish.

Dhe Gjokoviq po lufton për herë të dytë, me një apel të ri gjyqësor të planifikuar për të dielen.

Çështja do të shqyrtohet nga ora 9:30 nga Gjykata Federale me tre gjyqtarë, një format që lë pak hapësirë për të apeluar çdo vendim.

Tani për tani, tenisti serb është rikthyer në një burg famëkeq të imigracionit në Melburn pas disa ditësh lirie pas apelit të tij të parë të suksesshëm gjyqësor.

Një kolonë automjetesh u pa duke lëvizur nga zyrat e avokatëve të tij – ku ai ishte mbajtur nën roje për pjesën më të madhe të së shtunës — në ish- objektin e hotelit Park.

Në dosjet gjyqësore, Australia e ka paraqitur atë si një figurë kyqe për kundërshtarët e vaksinimit dhe një katalizator për “trazira civile” të mundshme, që duhet të largohet në interes të publikut.

Prania e Gjokoviqit në Australi “mund të nxisë ndjenjën kundër vaksinimit”, argumentoi ministri i imigracionit, Alex Hawke, duke justifikuar përdorimin e tij të fuqive të gjera ekzekutive për të hequr vizën e tenistit.

Jo vetëm që Gjokoviq mund t’i inkurajojë njerëzit të shkelin rregullat shëndetësore, tha Hawke, por prania e tij mund të çojë në “trazira civile”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq akuzoi të premten Australinë për “keqtrajtim të yllit më të madh të vendit dhe një heroi kombëtar”.

“Nëse donit ta ndalonit Novak Gjokoviçin të fitonte trofeun e 10-të në Melburn, pse nuk e kthyet menjëherë, pse nuk i thatë se është e pamundur të marrësh vizë? ka thënë Vuçiq në Instagram.

“Novak, ne jemi pranë teje!”, shtoi ai.

Gjokoviq ka fituar nëntë herë Australian Open dhe shpresonte që ta mbronte titullin javën e ardhshme. Ai shpresonte që ta fitonte këtë garë, me qëllim që të bëhej tenisti më i suksesshëm në histori të këtij sporti me një rekord prej 21 titujsh Grand Slam.

Fillimisht Gjokoviqit i ishte anuluar viza pasi arriti në Melbërn më 6 janar. Autoritetet kufitare gjetën se ai kishte “dështuar që të ofronte të dhëna të duhura” për një përjashtim mjekësor, që i mundësonte t’i shmangej rregullave për koronavirus.

Në Australi ka pasur zemërim të madh të publikut, pasi ky shtet ka pasur disa nga rregullat më strikte kundër pandemisë.

Gjokoviqi ishte ndaluar dhe kishte qëndruar për disa orë në aeroport ku kishte kaluar në kontrollet e migracionit. Më pas ai qëndroi disa ditë në një hotel të shndërruar në qendër për migrantë.

Disa ditë më vonë, një gjykatës hodhi poshtë vendimin e autoriteteve për anulimin e vizës dhe urdhëroi lirimin e tij, duke thënë në vendim se zyrtarët kufitarë kishin injoruar procedurat gjatë arritjes së Gjokoviqit në Australi.

Por, ministri Hawke të premten ia anuloi sërish vizën Gjokoviqit, duke përdorur fuqitë që dalin nga Akti për Migrim i Australisë.

Ky akti lejon dëbimin e kujtdo që ministri e sheh si rrezik potencial “për sigurinë shëndetësore apo rendit të komunitetit australian”, por megjithatë, Gjokoviq mund ta apelojë këtë vendim.

Vendimi për anulimin e vizës vjen pasi Gjokoviqi foli për pretendimet se ai kishte bërë deklarime të rreme në formularin e udhëtimit – ku thuhej se ai nuk kishte udhëtuar në ndonjë shtet tjetër 14 ditë para se të arrinte në Australi. Në fakt, tenisti serb, në atë periudhë kishte udhëtuar për në Spanjë.

Ai tha se ky ishte një gabim i bërë nga agjenti e tij dhe e quajti “gabim njerëzor”, duke shtuar se nuk ishte i qëllimshëm.

Gjokoviq po ashtu e ka pranuar se është takuar me një gazetar dhe ka bërë sesion fotografish pasi kishte dalë pozitiv në COVID-19.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme