Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) është e gatshme të jetë partia më e fortë e opozitës dhe se, si president, ai do t’i përmbahet kompetencave të tij kushtetuese kur bëhet fjalë për qeverinë e re.
Në një intervistë për televizionin austriak ORF, ai tha se partia e tij pranoi rezultatet paraprake të zgjedhjeve dhe se nuk presin që ato përfundimtare të jenë të ndryshme, raporton agjencia Beta.
“Formimi i qeverisë, siç e dini, është një punë që nuk ka filluar ende. Ne do të shohim nëse ky koalicion me tre anëtarë, i cili fitoi 41 vende, mund të arrijë vërtet një nivel të tillë afërsie të programeve dhe politike për të formuar një qeveri dhe për të marrë përsipër përgjegjësinë e pushtetit ekzekutiv në Malin e Zi”, tha ai.
Gjukanoviç tha se sot “siç mund ta shohim, projekti kombëtar i Serbisë së Madhe është ringjallur”.
“Ky projekt pretendon t’i sigurojë Serbisë disa kompensime për humbjen e Kosovës dhe natyrisht që Mali i Zi është synimi i parë i nacionalizmit serb. Supozoj se të gjithë e kuptojmë këtë, askush nuk është i painformuar”, tha ai.
Të dielën në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në të cilat, për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur.
Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.
Mali i Zi, përndryshe, konsiderohet lider në procesin e integrimit evropian. Ai ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, në qershor të vitit 2012.
Më 2 shtator kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se Serbia në asnjë mënyrë nuk ndërhyn në punët e brendshme të Malit të Zi.